
Foto:VCG
Kohët e fundit, mediat amerikane kanë njoftuar që ShBA-ja po diskuton për heqjen e disa tarifave të larta të vendosura nga administrata e kaluar, me synim që të zbutet presioni i inflacionit, që ka shënuar nivele rekord.
Shumë media cituan të martën burime, sipas të cilave administrata e presidentit Biden mund të anulojë vetëm një sasi të vogël tarifash me vlerë 10 miliardë dollarë amerikanë, që përbëjnë vetëm 2.7 % të tarifave të rënda mbi mallrat kineze, të cilat kapin një vlerë të përgjithshme 370 miliardë dollarë.
Në katër vjetët e fundit, shumë fakte dhe të dhëna kanë treguar që lufta tregtare e nisur nga ShBA-ja ndaj Kinës ka qenë një dështim i plotë, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Sipas statistikave të koalicionit “Amerikanët për tregtinë e lirë”, nga mesi i 2018-s deri në prill 2022, për shkak të kësaj lufte tregtare, qytetarët amerikanë kanë shpenzuar 129 miliardë dollarë më shumë. Ekonomisti i një instituti të studimit të politikave tatimore të ShBA-së, Alex Durant, vuri në dukje në një artikull që shtimi i taksave ndaj mallrave kineze nuk ka sjellë asnjë përfitim konkret për ekonominë amerikane. Sipas artikullit, “barra e tarifave shtesë është mbajtur pothuajse krejtësisht nga ndërmarrjet e konsumatorët amerikanë” dhe jo nga ndërmarrjet kineze, siç ishte planifikuar më parë.
Kjo është arsyeja përse thirrjet për heqjen e tarifave ndaj mallrave kineze janë shtuar gjithnjë e më shumë me rritjen e shpejtë të çmimit të mallrave. Në një raport të Institutit për Ekonominë Ndërkombëtare "Petersen" vlerësohet që, nëse hiqen tarifat e shtuara ndaj mallrave kineze, Treguesi i Çmimeve të Konsumit mund të ulet me 0.26 pikë përqindjeje. Sipas analizave nga ky institut, nëse ShBA-ja ul me 2 pikë përqindjeje tarifat doganore ndaj partnerëve tregtarë ose merr masa të tjera të ngjashme, Treguesi i Çmimeve të Konsumit në ShBA mund të ulet me 1.3 pikë përqindjeje, pra afro 800 dollarë kursim për çdo familje amerikane.
"Përse atëherë Uashingtoni është ngurrues?", pyet CMG-ja në koment, duke shtuar se faktori kyç për këtë është “vota”. Në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, vendimmarrësit amerikanë i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi mënyrës se si mund të marrin më shumë vota. Tani grupe të ndryshme interesi kanë kërkesa të ndryshme lidhur me çështjen nëse duhet të hiqen tarifat shtesë ndaj mallrave kineze apo në ç'masë duhet bërë një gjë e tillë. Prandaj, Shtëpia e Bardhë mban një qëndrim të paqartë për këtë çështje. Burimet bënë të ditur që Biden po planifikon të heqë një pjesë të vogël tarifash ndaj mallrave kineze, dhe do të shtojë shqyrtimin e tarifave në sektorë kryesorë, si gjysmëpërcjellësit, që duket si një vendim i përshtatshëm për palët e ndryshme.
Fakti e kanë vërtetuar herë pas here që Kina dhe ShBA-ja, si dy ekonomitë më të mëdha në botë, duhet të bashkëpunojnë për përfitime të përbashkëta, kurse mosmarrëveshjet mes tyre do të shkaktojnë vetëm humbje. Kina mban qëndrim të qartë se heqja e të gjitha tarifave të shtuara ndaj mallrave kineze është në të mirë të të dy vendeve dhe të mbarë botës, e mbyll komentin CMG.







