Foto nga VCG

Kina ka zbatuar dy raunde inspektimesh mbarëkombëtare mbi ruajtjen ekologjike dhe mbrojtjen e mjedisit në shtatë vjet dhe ka trajtuar probleme në fusha të shumta. Zëvendësministri i Ekologjisë dhe Mjedisit, Zhai Qing, tha në një konferencë për shtyp se duke synuar zgjidhjen e problemeve mjedisore të lidhura ngushtë me jetën e njerëzve, Kina pranoi dhe trajtoi 287,000 ankesa nga publiku gjatë inspektimeve dhe ka bërë 285,000 korrigjime deri më tani, bën të ditur “Xinhua”. Këto inspektime kanë një fokus të veçantë në problemet tipike. Rreth 262 raste janë publikuar, nga të cilat gati gjysma kanë të bëjnë me ndotjen dhe lidhjet e dobëta në infrastrukturën mjedisore dhe 33.2 për qind janë në fushën e ekologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Gjatë zgjedhjes së rasteve tipike, ne i kushtuam vëmendje të veçantë problemeve që shkaktojnë ndotje të rëndë me shqetësime urgjente të njerëzve, si shkarkimet me qëllim të keq të ndotësve në ujëra dhe hedhja e paligjshme e sasive të mëdha të mbetjeve industriale në lumenj”,- tha Zhai.

"Ne theksuam gjithashtu aktet që dëmtojnë ekologjinë dhe pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm",- shtoi ai, duke dhënë shembuj, duke përfshirë ndërtimet e paligjshme në zonat e mbrojtura, rikuperimin e paligjshëm të tokës në dete dhe liqene dhe shpyllëzimin për banim. Autoritetet qendrore kineze filluan shqyrtimin në fund të vitit 2015 dhe përfunduan raundin e parë të inspektimeve në nivel lokal deri në vitin 2018. Në raundin e dytë, ekipet inspektuan mbi 30 rajone të nivelit provincial, dy departamente qeveritare dhe gjashtë ndërmarrje shtetërore të administruara nga qendra nga viti 2019 deri në gjysmën e parë të 2022-shit.

Rreth 95 për qind e 3,294 problemeve të zbuluara në raundin e parë të shqyrtimit dhe periudhës së shqyrtimit të tij janë korrigjuar, vuri në dukje Zhai. Ai tha se gjysma e 1,227 çështjeve të gjetura tashmë në raundin e dytë të inspektimeve janë zgjidhur gjithashtu. (Elona)