Duke pasur parasysh inflacionin e lartë në Shtetet e Bashkuara, sa më shpejt të hiqen tarifat mbi mallrat kineze, aq më shpejt do të përfitojnë konsumatorët dhe bizneset amerikane, tha të martën Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës pas një videotelefonate ndërmjet zëvendëskryeministrit kinez Liu He dhe sekretares amerikane të Thesarit Janet Yellen.

Të dy palët patën shkëmbim pikëpamjesh për tema të tilla si situata makroekonomike dhe zinxhirët globalë industrialë e të furnizimit, që zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian i quajti "konstruktive".

Zhao kundërshtoi akuzën ndaj Kinës për "praktika ekonomike jotregtare", duke thënë se "fjalët e ShBA-së nuk përputhen me faktet".

Zyra kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, në Pekin./CFP

Zyra kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, në Pekin./CFP

Më shumë se 40 vjetët e fundit kanë dëshmuar suksesin e ekonomisë kineze, të politikës së Reformës e Hapjes të Kinës dhe të ndërthurjes së tregut me rolin e qeverisë, tha Zhao, duke shtuar se kjo është "një përvojë e vlefshme" e zhvillimit ekonomik të Kinës.

Reforma dhe Hapja e Kinës jo vetëm që sjellin përfitime për zhvillimin ekonomik të vendit, por gjithashtu japin një ndihmesë kyçe për zhvillimin e ekonomisë botërore, shtoi ai.

Lidhur me tarifat shtesë që ShBA-ja vendosi ndaj Kinës, zëdhënësi kërkoi heqjen e tyre për të mirën e të dy vendeve dhe botës.

Heqja e tarifave për mallrat e importuara kineze do të ulë me 1 për qind inflacionin në ShBA, tha Zhao, duke cituar një vlerësim të instituteve amerikane të studimit të politikave.

Inflacioni në ShBA ka arritur nivelin më të lartë në 40 vjet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe energjisë. Banka qendrore e vendit, Rezerva Federale, ka vepruar në mënyrë agresive për rritjen e normave të interesit për të ulur çmimet, duke shkaktuar shqetësime për një recesion të mundshëm.