
Në vitin 2019 presidenti kinez Xi Jinping u ktheu një letër përgjigjeje banorëve të fshatit Xiadang në provincën Fujian të Kinës Juglindore për t'i uruar për shkëputjen nga varfëria.
Në vitin 1988, Xi u zgjodh sekretari i Komitetit të Partisë i Ningde-së, zona me ekonominë më të prapambetur në provincën Fujian. Atëkohë Xiadang-u ishte një nga katër fshatrat më të varfra në Ningde, ku nuk kishte rrugë, ujë çezme, dritë elektrike, të ardhura financiare dhe zyra qeveritare.
Në verën e vitit 1989, Xi Jinping-u e vizitoi Xiadang-un, duke organizuar aty një mbledhje për ta ndihmuar fshatin të shkëputet nga varfëria. Në mbledhje u vendos të zgjidhen së pari dy probleme kryesore - ndërtimi i rrugës e furnizimi me ujë e energji elektrike - dhe u mblodhën 720 mijë juanë fonde ndihme.


Në fund të korrikut të vitit 1989, Xi e vizitoi për herë të dytë fshatin Xiadang dhe u dha fermerëve të prekur nga përmbytjet fonde ndihme për rindërtimin pas fatkeqësisë.
Gushti i vitit 1996 do të shënonte vizitën e tretë të Xi Jinping-ut në Xiadang. Asokohe ai ishte zv.sekretari i Komitetit të Partisë të provincës Fujian dhe i solli Xiadang-ut 1 milion juanë fonde për ndërtimin e rrugës së parë ndër-provinciale në këtë fshat.
Vitet e fundit, Xiadang-u ka zhvilluar fuqimisht sektorin e çajit e turizmin dhe fermerët kanë hapur kopshte çaji, hotele rurale etj. Në vitin 2018, të 504 anëtarët e 118 familjeve të varfra të fshatit u shkëputën nga varfëria


Xi Jinping-u i ka kushtuar gjithmonë vëmendje shkëputjes nga varfëria. Ai ka vizituar përkatësisht 14 zona të varfra dhe 24 fshatra të varfra për hetim dhe ka paraqitur strategjinë e ndihmës së shënjestruar për shkëputjen nga varfëria.
Më 25 shkurt të vitit 2021, Xi Jinping-u shpalli fitoren e Kinës në luftën kundër varfërisë, pasi të 98.99 milionë fermerët e varfër u nxorën nga skamja. "Kam thënë se në rrugën e shkëputjes nga varfëria, nuk duhet të lihet pas asnjë individ dhe asnjë kombësi," u shpreh Xi Jinping-u. (Fani/Artan)







