VCG

VCG

Presidenti kinez Xi Jinping mbërriti me tren në Hong-Kong të enjten pasdite.

Ai përshëndeti bashkatdhetarët hongkongas dhe shprehu urimet e tij më të mira me rastin e 25-vjetorit të kthimit të Hong-Kongut në atdhe.

Duke folur pas mbërritjes në stacionin hekurudhor të trenave të shpejtësisë së lartë të Kowloon-it Perëndimor, Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, vuri në dukje se është shumë i kënaqur që viziton edhe një herë Hong-Kongun.

"Nesër është 25-vjetori i kthimit të Hong-Kongut në atdhe. Pjesëtarët e të gjitha kombësive në mbarë vendin do t'u bashkohen bashkatdhetarëve hongkongas për të festuar këtë ngjarje të gëzueshme. Dëshiroj t'u shpreh përshëndetjet e mia të ngrohta dhe urimet më të mira bashkatdhetarëve të Hong-Kongut,”tha kreu i shtetit i Kinës.

Xi Jinping-u vuri në dukje se, në të kaluarën, Hong-Kongu u ka bërë ballë provave të vështira herë pas here, duke kapërcyer çdo rrezik dhe sfidë. Pas stuhisë, Hong-Kongu ka rilindur nga hiri, duke treguar gjallëri të madhe.

"Faktet kanë vërtetuar se 'Një vend, dy sisteme' ka gjallëri të fuqishme e mund të sigurojë përparimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të Hong-Kongut dhe të ruajë mirëqenien e bashkatdhetarëve hongkongas. 'Një vend, dy sisteme' është një parim i mirë dhe, duke iu përmbajtur këtij parimi, e ardhmja e Hong-Kongut do të jetë pa dyshim më e mirë dhe Hong-Kongu patjetër do të japë kontribute të reja e më të mëdha në ringjalljen e madhe të kombit kinez," u shpreh Xi.

Xi do të marrë pjesë të premten në një miting kremtues për 25-vjetorin e kthimit të Hong-Kongut në atdhe dhe në ceremoninë e marrjes së detyrës nga qeveria e mandatit të gjashtë e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.(Zhan Dian/Artan)