VCG

VCG

Presidenti kinez Xi Jinping ka theksuar rolin e kultivuesve të mëdhenj të drithit në inkurajimin e më shumë fermerëve për të kontribuuar në sigurinë ushqimore të vendit.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto të hënën në një letër përgjigjeje për Xu Congxiang-un, një kultivues veteran drithërash në kontenë Taihe të provincës Anhui të Kinës Lindore.

Kreu i shtetit kinez u shpreh në letër se mësoi me kënaqësi që Xu Congxiang-u ka pasur korrje të bollshme drithi dhe që pasardhësit e Xu-së kanë ndjekur hapat e tij, duke punuar në bujqësi.

Duke vënë në dukje se njerëzit ndihen të sigurt kur kanë një furnizim të bollshëm ushqimor, Xi tha se ai i ka kushtuar gjithmonë vëmendje prodhimit të drithërave.

Sipas tij, vitet e fundit, Komiteti Qendror i PKK-së ka zbatuar një sërë politikash për të mbështetur prodhimin e drithërave, duke synuar sigurimin e ushqimit bazë për popullin kinez dhe që bujqit të kenë përfitime konkrete dhe të bëjnë një jetë më të mirë.

Xi shprehu shpresën në letrën e tij që kultivuesit e mëdhenj të drithit do të shfrytëzojnë epërsitë e shkallës së funksionimit, do të zbatojnë në mënyrë aktive teknologjitë moderne bujqësore dhe do të nxitin fermerët e vegjël të kontribuojnë në sigurinë ushqimore të vendit, duke zgjeruar prodhimin e drithit dhe duke përmirësuar cilësinë e tij.