
VCG
“Punë të detyruar nuk ka në Kinë, por në ShBA,” u shpreh të hënën në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me fjalët e koordinatorit të komunikimit strategjik të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby, i cili përmendi edhe një herë të shtunën të ashtuquajturën "punë të detyruar" në Kinë, Zhao tha se ShBA-ja e ka reklamuar vazhdimisht të ashtuquajturën "punë të detyruar" në rajonin e Xinjiang-ut për të frenuar Kinën, duke u përpjekur të realizojë "papunësinë e detyruar" në Xinjiang. Sipas zëdhënësit, këto akuza absurde janë pasqyrim i fajit të vetë ShBA- së.
Zhao Lijian tha se puna e detyruar është një sëmundje kronike që ka ekzistuar në ShBA që nga lindja e saj. Sipas statistikave, gjatë viteve 1525 - 1866, më shumë se 12.5 milionë afrikanë u trafikuan në ShBA për punë të detyruar. Historia e ShBA-së është e lyer me gjakun dhe djersën e skllevërve.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje se edhe sot ShBA-ja është vendi më i goditur nga puna e detyruar dhe mund të quhet një "vend modern i skllavërisë". Në uebsajtin e Universitetit të Denverit të ShBA-së u publikua një artikull që zbulonte se të paktën mbi 500 mijë veta në Shtetet e Bashkuara jetojnë tani në skllavëri moderne dhe janë të detyruar nga të tjerët të punojnë. Çdo vit në ShBA, afro 100 000 veta trafikohen për punë të detyruar dhe rreth 500 000 fëmijë punëtorë ende merren në punë bujqësore. Organizata Ndërkombëtare e Punës ka shprehur shqetësimin për dëmtimet e rënda në punë të fëmijëve në fermat e ShBA-së për shumë vjet.
"Qeveria amerikane është e zënë me fabrikimin e gënjeshtrave dhe thashethemeve për punën e detyruar në vende të tjera, duke harruar çështjen e punës së detyruar në vendin e vet. Pala amerikane duhet të përballet me çështjen e saj serioze të punës së detyruar sa më shpejt dhe t'u përgjigjet shqetësimeve të bashkësisë ndërkombëtare," shtoi Zhao Lijian.







