
VCG
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij guajanas, Irfaan Ali, shkëmbyen të hënën mesazhe urimi për 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.
Xi vuri në dukje se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 50 vjet më parë, lidhjet Kinë-Guajanë kanë arritur një zhvillim të rëndësishëm. Besimi i ndërsjellë politik ndërmjet të dy vendeve është thelluar vazhdimisht dhe bashkëpunimi praktik ka dhënë rezultate të frytshme.
Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, popujt e të dy vendeve kanë punuar së bashku me solidaritet e ndihmë të ndërsjellë, duke shkruar një kapitull të ri të miqësisë ndërmjet Kinës e Guajanës, tha ai.
Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu se ai i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe është i gatshëm të punojë me homologun e vet guajanas për ta shfrytëzuar 50-vjetorin e lidhjeve diplomatike si një mundësi për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivele të reja dhe për të sjellë përfitime për të dy vendet dhe popujt e tyre.
Nga ana e tij, Ali tha se Guajana është vendi i parë anglishtfolës në Karaibe që vendosi lidhje diplomatike me Kinën, duke shtuar se vendi i tij i përmbahet me vendosmëri politikës së “Një Kine”.
Gjatë 50 vjetëve të fundit, Guajana dhe Kina kanë zbatuar gjithmonë parimin e respektit të ndërsjellë, barazisë e përfitimeve të ndërsjella dhe miqësia tradicionale ndërmjet dy vendeve u ka bërë ballë provave të kohës, theksoi Ali.
Ai shtoi se Guajana është e gatshme ta shfrytëzojë 50-vjetorin e lidhjeve diplomatike si një mundësi për të thelluar vazhdimisht miqësinë dypalëshe.







