Ditët e fundit, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbajti një fjalim mbi politikën e ShBA-së ndaj Kinës, duke pretenduar se Kina paraqet "sfidën më serioze afatgjatë" për rendin ndërkombëtar, duke ekzagjeruar të ashtuquajturin “kërcënim nga Kina” dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës e duke njollosur politikat e brendshme dhe të jashtme të saj. Në lidhje me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme kineze publikoi më 19 qershor një artikull të titulluar "Falsifikimet dhe faktet në njohjen e Kinës nga ShBA-ja", ku renditen 21 gabime në perceptimin e ShBA-së për Kinën, duke i hedhur poshtë ato një nga një me fakte e të dhëna dhe duke ekspozuar mashtrimin, hipokrizinë dhe dëmshmërinë e politikave të ShBA-së ndaj Kinës.

Në artikull bëhet kritika se "rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla" i Shteteve të Bashkuara është në fakt një kopje e politikës së forcës së ShBA-së, që u imponon vullnetin dhe standardet e veta të tjerëve, duke zëvendësuar ligjet ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht me "rregullat e bandave" të disa vendeve.

Artikulli thekson se koncepti i një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, i propozuar nga Kina, është shkruar shumë herë në dokumente të rëndësishme të mekanizmave shumëpalësh, si OKB-ja dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se Kina është bërë një shtyllë e rëndësishme e multilateralizmit dhe qëllimi i praktikës së multilateralizmit prej Kinës është të ndërtojë një komunitet të përbashkët për njerëzimin. Kina beson se ekziston vetëm një rend në këtë botë, që është rendi ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare; dhe ekziston vetëm një grup rregullash, që janë normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare të bazuara në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. (Fang Xiaoyu/Artan)