
Foto nga VCG
Kina ka rekrutuar 1.48 milionë mësues të tjerë me kohë të plotë për arsimin e detyrueshëm të vendit gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e çuar numrin total të mësuesve të tillë në 10.57 milionë, treguan statistikat e publikuara nga Ministria e Arsimit.
Kina tani ka 158 milionë nxënës në 207,000 shkolla për arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar, bën të ditur “Xinhua”.
Shkalla e ndjekjes së arsimit të detyrueshëm arriti në 95.4 për qind, nga 91.8 për qind në vitin 2012. Arsimi i detyrueshëm nëntëvjeçar i Kinës përfshin gjashtë vjet shkollë fillore dhe tre vjet shkollë të mesme të ulët, me shkollim falas.
Gjatë periudhës 2012-2021, arsimi i detyrueshëm i Kinës ka arritur një zhvillim të ekuilibruar në nivel qarku bazuar në mbulimin e plotë, tha zyrtari i ministrisë Lyu Yugang në një konferencë për shtyp. Lyu shtoi se të gjithë studentët që e braktisën shkollën për arsye financiare u identifikuan dhe u ndihmuan të kthehen në shkollë në kohën e duhur.
Vendi është fokusuar gjithashtu në të drejtat e barabarta të arsimimit për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në vitin 2021, rreth 920.000 studentë studionin në institucionet e arsimit special të vendit, 142.8 për qind më shumë nga dhjetë vjet më parë.
Një program për përmirësimin e të ushqyerit për studentët nga zonat rurale ndihmon 37 milionë fëmijë çdo vit, duke ndikuar që përqindja e studentëve përkatës që kalojnë testet e shëndetit fizik të rritet nga 70.3 për qind në 2012-n, në 86.7 për qind vitin e kaluar.
Gjatë dekadës, qeveritë e të gjitha niveleve kanë investuar më shumë se 1 trilion juanë (më shumë se 149 miliardë dollarë amerikanë) për të mbyllur hendekun në kushte midis shkollave urbane dhe atyre rurale dhe për të siguruar që të gjitha shkollat e arsimit të detyrueshëm të kenë akses në internet. (Elona)







