
Foto nga VCG
Rezultatet e provës klinike treguan se ilaçi i parë i zhvilluar në Kinë për trajtimin e HIV-it rezultoi i sigurt dhe efektiv në një regjim kombinimi të thjeshtuar.
Aikening ose albuvirtide (ABT) për injeksion, një frenues i ri i shkrirjes së HIV-it me veprim të gjatë, i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Kinë në vitin 2018, përdoret në kombinim me barna të tjera antiretrovirale për të trajtuar pacientët me HIV.
Rezultatet e një prove klinike 48-javore të fazës 3, të botuar së fundmi në “Journal of Infection”, zbuluan se ABT, në kombinim me një ilaç tjetër kundër HIV, “Kaletra”, tregoi një profil të mirë sigurie dhe efektiviteti i tij nuk ishte inferior ndaj një regjimi me tri barna të bazuara te “Kaletra”, bën të ditur “Xinhua”.
Prova klinike është e para e këtij lloji në botë që përdor një regjim me dy barna dhe i pari i kryer midis të gjitha popullatave aziatike.
ABT gjithashtu mund të lidhet me albuminën, një proteinë njerëzore që gjendet në plazmë, për të zgjatur qëndrimin e saj në trup, duke pasur kështu një efikasitet antiviral afatgjatë kur administrohet çdo javë.
Pas marrjes së medikamenteve për 48 javë nuk u gjet asnjë mutacion rezistent ndaj ilaçeve në virusin HIV.
Kompania kineze tani po eksploron regjime të tjera të kombinimit ABT për të ofruar më shumë opsione alternative për trajtimin e sëmundjeve infektive.
Tregu global i barnave kundër HIV u rrit nga 22.9 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2013 në 34 miliardë dollarë amerikanë në 2018-n dhe pritet të zgjerohet më tej në 46.7 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2023. (Elona)







