Të gjitha masat e nevojshme të marra kundër provokimeve dhe shantazheve të forcave të "pavarësisë së Tajvanit" janë veprime të drejta, u shpreh zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit Ma Xiaoguang të mërkurën në një konferencë të rregullt shtypi.

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Mbrojtjes Wei Fenghe theksoi në Samitin Shangri-La disa ditë më parë që, nëse dikush guxon ta ndajë Tajvanin, Ushtria Çlirimtare Popullore patjetër "do të bëjë gjithçka që duhet për të luftuar deri në fund, pavarësisht nga kostoja." Kreu i Këshillit të Tajvanit për Çështjet e Pjesës Kontinentale pretendoi se kjo ishte një "deklaratë lufte që shkelte parimet e paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare". Duke komentuar lidhur me këtë, Ma Xiaoguang u përgjigj se deklaratat përkatëse të autoriteteve të Partisë Demokratike Progresiste shtrembërojnë natyrën e çështjes së Tajvanit, njollosin politikën e pjesës kontinentale të Kinës ndaj Tajvanit dhe ekspozojnë edhe një herë qëllimet e tyre dashakeqe për të reklamuar të ashtuquajturin "kërcënim ushtarak" të pjesës kontinentale dhe duke u përpjekur "ta ndërkombëtarizojnë" çështjen e Tajvanit.

Ma tha se Tajvani është pjesë e Kinës, çështja e Tajvanit është një trashëgimi e luftës civile të Kinës dhe zgjidhja e saj është punë e brendshme e Kinës. Realizimi i ribashkimit të plotë të atdheut është aspirata e përbashkët e të gjithë bijve dhe bijave të kombit kinez. Të gjitha masat e nevojshme të marra në përgjigje të provokimeve dhe shantazheve të forcave të "pavarësisë së Tajvanit" janë veprime të drejta për të mbrojtur sovranitetin kombëtar e integritetin territorial dhe për të penguar përpjekjet për përçarjen e vendit, u shpreh zëdhënësi. “Ku është këtu e ashtuquajtura ‘shpallje lufte’? " pyeti ai.