Foto nga VCG

Zëvendëskryeministrja kineze, Sun Chunlan, bëri thirrje të hënën për një punë solide dhe të përpiktë për parandalimin dhe kontrollin e Covid-19 në Pekin, në mënyrë që të frenohet përhapja e epidemisë sa më shpejt të jetë e mundur. Sun i bëri komentet gjatë një turneu inspektimi të punës për parandalimin dhe kontrollin e Covid-19 në kryeqytet, ku vizitoi vendet e goditura nga vala e fundit e infeksioneve: dy bare në distriktin Chaoyang, bën të ditur “Xinhua”.

Sun mësoi për përpjekjet lokale në hetimin dhe gjurmimin epidemiologjik, identifikimin e individëve të përballur me infeksion të mundshëm dhe kufizimet e lidhura me të, si dhe trajtimin e vendeve kryesore të shpërthimit.

Zëvendëskryeministrja vizitoi gjithashtu selinë e qytetit për reagimin ndaj Covid, dëgjoi një raport mbi përpjekjet e koordinuara të hetimit epidemiologjik dhe zhvilloi një takim për përshpejtimin e zbatimit të masave të kontrollit të Covid-19.

Ajo tha se cilësia dhe efikasiteti i punës në fusha të ndryshme, duke përfshirë hetimin epidemiologjik dhe transportin dhe izolimin e rasteve, duhet të rritet më tej.

Duke vënë në dukje kompleksitetin e shpërthimit të fundit, Sun kërkoi koordinim të mëtejshëm në mbarë qytetin për të siguruar që masat e kontrollit të kryhen pa vonesë.

Sipas saj, masat e kontrollit të Covid-19 duhet të përshtaten në përputhje me situatën në ndryshim të epidemisë dhe të fokusohen në fushat kryesore në një mënyrë solide dhe të përpiktë. (Elona)