
Foto nga VCG
Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e tjerë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për të trajtuar sfidën globale të ndotjes plastike, deklaroi i dërguari kinez të hënën gjatë Konferencës së 12-të Ministrore të OBT-së (MC12). Ambasadori i Kinës në OBT, Li Chenggang, në një konferencë shtypi për iniciativat mjedisore të MC12, tha se Kina do të punojë ngushtë me anëtarët e tjerë në kuadër të OBT-së, për të promovuar punën në lidhje me parandalimin dhe kontrollin e ndotjes plastike. Sipas tij, Kina i kushton rëndësi të madhe ndotjes plastike dhe është një nga anëtarët më të hershëm për të trajtuar këtë çështje globale, citon “Xinhua”.
Ai tha se qëndrueshmëria është një nga objektivat e zhvillimit ekonomik dhe social të Kinës dhe vendi ka prezantuar një sërë masash në vitet e fundit për të kufizuar ndotjen plastike. Sipas tij, Kina është e gatshme të ndajë përvojën me anëtarët e tjerë të OBT-së dhe të punojë së bashku për të trajtuar në mënyrë aktive ndotjen plastike nga ana tregtare.
Kina është nismëtarja dhe një nga gjashtë bashkëkoordinatorët aktualë të Dialogut Joformal të OBT-së mbi Ndotjen e Plastikës dhe Tregtinë e Qëndrueshme Mjedisore të Plastikës (IDP), që ka tërhequr pjesëmarrjen e 72 anëtarëve të OBT-së.
OBT mund të luajë një rol unik në koordinimin e anëtarëve për të ndërmarrë veprime kolektive për t'u marrë me ndotjen plastike, tha Li.
Ai theksoi se Kina do të qëndrojë e përkushtuar ndaj zhvillimit si prioritet, ndaj një qasjeje të përqendruar te njerëzit, ndaj përfitimeve për të gjithë, ndaj zhvillimit të nxitur nga inovacioni, ndaj harmonisë midis njeriut dhe natyrës si dhe ndaj veprimeve të orientuara nga rezultatet, dhe do të vazhdojë të punojnë me anëtarët e tjerë për të përkthyer konsensusin në veprime konkrete sipas kornizës së OBT-së. (Elona)







