
Foto nga VCG
Integrimi i teknologjive 5G në sektorin e internetit industrial ka përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e industrisë së hekurit dhe çelikut të Kinës, veçanërisht përmes përdorimit të funksioneve të bazuara në të dhënat e mëdha, si kontrolli nga largësia, operacionet bashkëpunuese dhe zgjidhja e problemeve.
Kompania e Hekurit dhe e Çelikut e Wuhan-it është një ndër kompanitë që ka përdorur me sukses teknologjitë 5G për të përmirësuar proceset e saj të prodhimit. Sot kompania ka një komplet të plotë pajisjesh me procese të përparuara prodhimi për koksimin, prodhimin e hekurit, prodhimin dhe petëzimin e çelikut etj.

Foto nga VCG
Wu Xiaodi, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie, tha se ata kanë kaluar me sukses në operacionet inteligjente të prodhimit gjatë katër vjetëve të fundit.
"Përveç monitorimit në kohë reale, sistemi i menaxhimit mundëson dialogun njeri-makinë dhe i lejon punëtorët t’u japin urdhra makinerive. Logjistika inteligjente dhe sistemet e planifikimit kanë ndihmuar në përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të inteligjencës. Gjatë këtij procesi, shumica e punës që më parë bëhej nga njerëzit është zëvendësuar nga automatizimi ose dronët. Teknologjia e përparuar është gjithashtu e dobishme për të luftuar përhapjen e pandemisë," tha Wu.

Foto nga VCG
Ai theksoi se ky ndryshim ua ka forcuar besimin në normalizimin e prodhimit dhe në parandalimin e kontrollin e pandemisë.
Wu shtoi se Kompania e Hekurit dhe e Çelikut e Wuhan-it po kërkon gjithashtu më shumë mënyra për të siguruar funksionimin e lirshëm të të gjithë sistemit logjistik. "Në këtë përpjekje ne morëm mbështetje të fortë nga organet e pushtetit të provincës Hubei. Kur e patëm të vështirë të vendosnim kontakte me furnitorët tanë për shkak të kufizimeve të pandemisë, ato ndërhynë me përpjekjet e tyre koordinuese."
"Nëse ndërmarrjet e vogla mbyllen, disa objekte mbështetëse do të përballen me ndërprerje të furnizimit, ndërsa prodhimi ynë do të pengohet. Kështu që qeveria ka zhvilluar bashkërendim aktiv për t'i ndihmuar ata të rifillojnë prodhimin. Të gjitha këto sigurojnë që zinxhiri i furnizimit të funksionojë pa probleme. Pas përvojës së Wuhan-it në vitin 2020, tani jemi më të vetëdijshëm për rëndësinë e prodhimit të zgjuar, veçanërisht për situata të tilla të papritura dhe të paparashikuara," tha ai.
Wu bëri të ditur se ata po përdorin robotë për të thjeshtuar procesin e prodhimit. Kompania do të shtojë 10 000 robotë për të zëvendësuar njerëzit për punë të thjeshta, të përsëritura dhe relativisht të lodhshme.
"Kur përdorim robotë në prodhim, krijohen më shumë të dhëna. Ne po shqyrtojmë gjithashtu mënyrat për t'i kthyer numrat në pasuri reale për kompaninë tonë dhe për të shfrytëzuar efikasitetin e këtyre pasurive, gjë që ne e quajmë revolucioni digjital. Hapi ynë i ardhshëm është të sigurojmë vendimmarrje të shënjestruar nëpërmjet digjitalizimit”, shtoi ai.







