
Foto nga VCG
Kina ka ndërtuar infrastrukturën më të madhe të rrjetit në botë me teknologji të përparuar në dekadën e fundit, bëri të ditur zëvendësministri kinez i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Xin Guobin në një konferencë shtypi të martën.
Sipas tij, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, gjerësia e brezit të qasjes të rrjetit të fibrave optike është rritur nga 10 MB në 1 000 MB, rrjetet celulare kanë bërë përparime në teknogjitë 3G, 4G e 5G dhe qasja e brezit të gjerë është shtrirë në të gjitha fshatrat administrative në mbarë vendin, duke ndihmuar në arritjen e objektivit të zbutjes së varfërisë.

Foto nga VCG
Kina ka kryer gjithashtu një integrim të thellë të teknologjisë 5G, internetit industrial, të dhënave të mëdha, informatikës cloud dhe inteligjencës artificiale në sektorin e prodhimit, duke përshpejtuar digjitalizimin industrial, theksoi zëvendësministri.
Ndërkohë, nga telat e bakrit te fibrat optike dhe nga popullarizimi i 3G-së te përdorimi komercial i 5G-së, Kina ka pasur përmirësime të mëdha në drejtim të komunikimit të informacionit gjatë dekadës së fundit.
Han Xia, kryeinxhiniere në Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, tha në konferencën për shtypin se stacionet bazë 4G në Kinë përbëjnë më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm në botë. Numri i stacioneve bazë 5G në vend ka arritur në 1.615 milionë dhe numri i përdoruesve të telefonave celularë 5G i ka kaluar 400 milionët.

Foto nga VCG
Përdorimi i aplikimeve inovative në Kinë është zgjeruar nga konsumi në prodhim, duke formuar një nga tregjet më të mëdha dhe më aktive të shërbimeve digjitale në botë, tha kryeinxhinierja.
Ajo shtoi se vëllimi vjetor i transaksioneve të pagesave në celular ka arritur në 527 trilionë juanë (rreth 78.2 trilionë dollarë), ekonomia e re ka krijuar më shumë se 20 milionë vende pune dhe numri i përgjithshëm i rasteve të aplikimit në industrinë 5G i ka kaluar 20 mijët.
Në dhjetë vjetët e fundit, qasja e brezit të gjerë është shtrirë në tërë fshatrat administrative në Kinë dhe shërbimet e informacionit janë bërë më të lira në të gjithë vendin.

Foto nga VCG
Han tha se mesatarja e shkarkimit e rrjeteve me brez të gjerë është rritur me gati 40 herë dhe kostoja mesatare për të dhëna njësish në rrjetet celulare ka rënë me më shumë se 95 për qind.
Kina do të vazhdojë të forcojë zhvillimin e infrastrukturës së re të informacionit, të promovojë mbulimin e gjerë të rrjeteve 5G, të përshpejtojë zbatimin në shkallë të gjerë të 5G-së e të teknologjive të tjera të reja dhe të zgjerojë bashkëpunimin industrial.







