
Foto: VCG
Mjedisi dhe ekologjia në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme në Kinën Veriore është përmirësuar ndjeshëm falë një sërë përpjekjesh për mbrojtjen e tyre.
Ky rajon është i famshëm për pyjet e kullotat e gjera dhe zhvillimi i tij më parë është bazuar në industritë bujqësore e prerjen komerciale të drurëve, që sollën shkatërrim të mjedisit.
Në vitin 2000 nisi të zbatohet një projekt për mbrojtjen e pyjeve natyrore në Malet e Mëdha Hinggan të këtij rajoni, me një fokus fillestar në mbjelljen e pemëve, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit dhe pakësimin e dëmeve mjedisore. Prerjet komerciale në pyjet natyrore u ndaluan plotësisht në vitin 2015 dhe autoritetet vendore u ofruan ish-prerësve të pemëve punë si rojtarë pyjesh, për t'i nxitur të bëhen mbrojtës mjedisi.
Gjatë 20 vjetëve të fundit, në këtë rajon janë krijuar 511 zona të menaxhimit dhe mbrojtjes së pyjeve, që mbulojnë rreth 9.7 milionë hektarë pyje natyrore, si edhe 29 zona të mbrojtura, duke përfshirë rezervatet natyrore, parqet ligatinore dhe parqet pyjore, sipas Chen Baishan, kryetar i Grupit të Industrisë Pyjore të Mongolisë së Brendshme.
Sipërfaqja pyjore e Maleve të Mëdha Hinggan në Mongolinë e Brendshme është rritur me 1.39 milion hektarë që nga viti 2000, duke arritur në 10.3 milion hektarë.
Kullotat, të cilat përbëjnë gati gjysmën e sipërfaqes së Mongolisë së Brendshme, po bëhen gjithashtu më të gjelbra për shkak të procesit të mbrojtjes.
Në vitin 2011, në këtë rajon nisi të zbatohet një politikë e mbrojtjes ekologjike të kullotave, mbi bazën e së cilës u ndalua kullotja dhe u zvogëlua numri i bagëtive për të përmirësuar raportin mes kullotave e bagëtive, ndërsa barinjve iu dhanë subvencione. Deri më tani, fondet e subvencionimit kanë arritur në 45.5 miliardë juanë (6.8 miliardë dollarë), prej të cilave çdo vit kanë përfituar më shumë se 1.4 milionë familje dhe 4.9 milionë veta.
Në vitin 2020, mbulimi mesatar i bimësisë së kullotave në rajon arriti në 45 për qind, 8 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2010.







