Foto: VCG

Foto: VCG

Kina u ka bërë thirrje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të punësojnë të sapodiplomuarit e universiteteve, sipas një raporti të CMG-së të dielën.

Rekrutimi Kombëtar 100-ditor në Internet prej Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme i të Diplomuarve të Universiteteve në vitin 2022, i zhvilluar bashkërisht nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Ministria e Arsimit, është mbajtur që nga maji. Kjo veprimtari është zhvilluar në internet për shkak të pandemisë.

Deri më tani, njoftime për më shumë se 750 000 vende pune janë postuar nga rreth 110 000 kompani, dhe më shumë se 1.2 milion CV janë dorëzuar nga të diplomuarit e universiteteve, thuhet në raport, duke cituar Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë bërë një shtyllë e rëndësishme për të stabilizuar punësimin në Kinë, duke pasur parasysh se ato krijojnë mbi 85 për qind të punësimit në vend, theksohet në raport.

Statistikat nga Ministria e Arsimit tregojnë se numri i të diplomuarve në universitete sivjet pritet të arrijë një rekord prej 10.76 milionësh.

Në Shangai të Kinës Lindore, bashkia ka marrë një sërë masash për të përmirësuar punësimin e të diplomuarve në universitet, për shkak të konkurrencës intensive këtë vit.

Zyrtarët e qytetit në maj u kërkuan universiteteve të zgjasin statusin e studentit të të diplomuarve.

Ndërkohë, në një plan veprimi për të promovuar punësimin dhe sipërmarrjen midis të diplomuarve, i cili u publikua më 22 maj, u kërkohet ndërmarrjeve shtetërore të Shangait të caktojnë të paktën 50 për qind të kuotave të tyre të punësimit për të diplomuarit.

Për çdonjërin prej tyre të punësuar në qytet, ndërmarrjeve do t'u ofrohen 7 800 juanë (1 171 dollarë) ulje taksash dhe 2 000 juanë subvencione.

Plani i veprimit është hartuar gjithashtu për të inkurajuar të diplomuarit që të fillojnë bizneset e tyre. Atyre që hapin bizneset e veta, do t'u ofrohet një ulje taksash prej 14 400 juanësh për tre vjet.(Artan)