Kina dënoi të premten një rezolutë për Xinjiang-un nga Parlamenti Evropian, duke e quajtur atë një shpifje keqdashëse dhe tërësisht gënjeshtër.
Në rezolutën për "situatën e të drejtave të njeriut në Xinjiang" të miratuar të enjten, Parlamenti Evropian pretendon se masat përkatëse të Kinës në Rajonin e saj Autonom të Xinjiang-Ujgurit përbëjnë "krime kundër njerëzimit" e një rrezik serioz për "gjenocid".
Rezoluta është një shpërfillje tërësore e fakteve dhe arsyeshmërisë ligjore, një shpifje keqdashëse ndaj Kinës, një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe e normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian në një konferencë të rregullt shtypi në Pekin.
Çështjet lidhur me Xinjiang-un, në thelb, nuk kanë të bëjnë me kombësinë, fenë apo të drejtat e njeriut, por me luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit e separatizmit, dhe lidhen me sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare të Kinës, shtoi ai.
Menjëherë pas miratimit të rezolutës nga Parlamenti Evropian të enjten, Misioni Kinez në Bashkimin Evropian shprehu dënimin e tij.
Në një deklaratë, Misioni tha se pretendimi për gjenocid është gënjeshtra e shekullit dhe një farsë e shëmtuar nga forcat antikineze.
Nga regjistrimi i parë kombëtar në vitin 1953 deri në atë të shtatë në vitin 2020, popullsia e Xinjiang-ut u rrit nga 4.78 milionë në 25.85 milionë, ndër të cilat popullsia ujgure u shtua nga 3.6 milionë në 11.62 milionë, thuhet në këtë deklaratë, duke pyetur: "A ka parë ndonjëherë dikush një ‘gjenocid’ të tillë?". (Artan)







