Foto nga VCG

Rajonet bregdetare të Kinës kanë nevojë urgjente për të përmirësuar mbrojtjen dhe përshtatshmërinë bregdetare për të përballuar rritjen e nivelit të detit, bëhet e ditur në një raport të publikuar nga Ministria e Burimeve Natyrore, citon “Xinhua”.

Në 30 vitet e ardhshme vlerësohet se niveli i detit në vendin aziatik do të rritet me një interval midis 68 mm dhe 170 mm, siç thuhet në raportin vjetor që regjistron ndryshimet e nivelit të detit në Kinë, të publikuar nga departamenti ministror për monitorimin e oqeanit dhe paralajmërimin e hershëm.

Sipas studimit të vitit të kaluar, niveli i zonave bregdetare, duke arritur një maksimum historik që nga viti 1980, ka tejkaluar me 84 mm mesataren e regjistruar në vitet e mëparshme.

Gjatë 40 viteve të fundit, niveli i detit të Kinës është rritur me një normë prej 3.4 mm në vit, më shpejt se mesatarja globale, thuhet në raport, duke shtuar se rritja e nivelit të detit mund të përkeqësojë pasojat e fatkeqësive në oqean.

Vitin e kaluar, shumica e stuhive dhe përmbytjeve në qytetet bregdetare ndodhën midis korrikut dhe tetorit, periudha vjetore kur niveli i detit është më i lartë. (Irma)