Mediet japoneze publikuan ditët e fundit dy lajme “të mëdha”. Sipas njërit prej tyre, qeveria japoneze planifikon të dërgojë zyrtarë civilë nga Ministria japoneze e Mbrojtjes për “qëndrim afatgjatë” në rajonin e Tajvanit të Kinës, për të forcuar të ashtuquajturën “aftësi të mbledhjes së informacionit”. Lajmi i dytë është se Ministria e Mbrojtjes e Japonisë planifikon të krijojë një komandë të unifikuar për forcat ajrore, detare dhe tokësore të vetëmbrojtjes, për shkak të “shqetësimit për Tajvanin”.
![[Foto: VCG]](https://mim-img0.cctv.cn/images/zhycms_albanian/20220609/d6783d6f-5198-46ef-a807-53c14c626dde.jpg?x-oss-process=image/quality,q_90/resize,w_650)
[Foto: VCG]
Nëse janë të vërteta të dy lajmet, kjo do të thotë se Japonia po lëshon sinjale të rrezikshme lidhur me çështjen e Tajvanit, thuhet në një koment të CMG-së.
Ata që e njohin historinë e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Japonisë, e dinë mirë se problemi i Tajvanit është një çështje shumë e ndjeshme parimore e këtyre marrëdhënieve, vijoj komenti. Në vitin 1895, imperialistët japonezë pushtuan Tajvanin dhe ishujt Penghu me anë të luftës së agresionit, dhe vendosën sundimin kolonial për gjysmë shekulli. Ata kanë bërë krime të panumërta dhe u sollën banorëve të Tajvanit një katastrofë të madhe.
Në vitin 1972, pas normalizimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Japonisë, Tokioja bëri premtimin e qartë për t’iu përmbajtur parimit të “Një Kine” dhe për trajtimin siç duhet të çështjes së Tajvanit. Për një periudhë të gjatë, Japonia mbajti një qëndrim të kujdesshëm në çështjen e shkëmbimeve me rajonin e Tajvanit. Por vitet e fundit, disa politikanë japonezë kanë bashkëpunuar me palën amerikane, duke krijuar vazhdimisht probleme të reja në çështjen e Tajvanit.
Për shembull, liderët e Japonisë dhe të ShBA-së deklaruan në takimin e tyre në fund të majit se ata e kundërshtojnë Kinën në “përpjekjet e saj për të ndryshuar gjendjen e tanishme në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore” dhe theksuan “rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit”. Pas dhënies së dorëheqjes, ish-kryeministri japonez Shinzo Abe dhe disa politikanë të tjerë kanë thënë disa herë se “nëse diçka ndodh në ngushticën e Tajvanit, kjo është edhe çështje e Japonisë”. Madje, sipas tyre, Japonia duhet të bashkohet me vendet e tjera “për të krijuar kushte që të nxitin pjesën kontinentale të Kinës të heqë dorë nga kontrolli i Tajvanit me mjete ushtarake.”
Japonia ka nisur një luftë në histori, duke u sjellë vendeve fqinje aziatike një katastrofë të madhe. Tani, forcat e krahut të djathtë në Japoni po krijojnë rreziqe të reja, duke krijuar ndarje në Azi. Vendet e rajonit duhet të ngrenë vigjilencën për këtë, thotë CMG-ja në komentin e vet, duket shtuar se politikanët që përpiqen të ndërhyjnë në çështjen e Tajvanit, po luajnë me zjarrin. (Li Huailiang/Artan)







