VCG

VCG

Shërbimi i vaksinimit në shtëpi të Hong Kongut, i krijuar në fund të prillit, ka administruar vaksinimin për gati 18.000 njerëz, treguan të dhënat më të fundit të hënën. Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR) u bën thirrje të moshuarve të moshës 70 vjeç e lart ose personave me lëvizshmëri të dëmtuar për shkak të sëmundjes ose aftësisë së kufizuar fizike, të cilët nuk kanë marrë më parë një vaksinë kundër Covid-19, të shfrytëzojnë mundësinë për t'u regjistruar në shërbim, bën të ditur “Xinhua”.

Duke filluar nga data 13 qershor, qendra e thirrjeve për vaksinimin në shtëpi do të funksionojë nga ora 09:00 deri në orën 20:00, nga e hëna në të premte. Mbi 27.000 njerëz janë regjistruar për shërbimin qëkur qendra e thirrjeve filloi funksionimin e saj në mes të prillit.

Që nga fillimi i një programi të vaksinimit masiv në shkurt të vitit të kaluar, rreth 6.7 milionë njerëz ose 92.2 për qind e popullsisë së kualifikuar në Hong Kong kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine Covid-19, ndërsa mbi 6.36 milionë ose 87.4 për qind e popullatës së kualifikuar kanë marrë dy doza.

Deri të hënën, më shumë se 60 për qind e njerëzve të kualifikuar në Hong Kong kishin marrë dozën e tretë përforcuese, ndërsa rreth 118.700 njerëz kishin marrë dozën e katërt.