
Foto: MPJ
Kina bëri thirrje të hënën për përmbajtje në çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, ndërsa Koreja e Jugut dhe ShBA-ja hodhën tetë raketa pas lëshimeve të fundjavës nga Koreja e Veriut.
"Në rrethanat e tanishme, shpresojmë që palët përkatëse të qëndrojnë të qeta e të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian gjatë një konference të rregullt shtypi.
Sipas tij, ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në Gadishullin Korean dhe promovimi i zgjidhjes politike të çështjes së këtij gadishulli janë në interesin e përbashkët të të gjitha palëve.
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan tetë raketa balistike në ujërat lindore të hënën në përgjigje të nisjes së raketave nga Koreja e Veriut një ditë më parë, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”, duke cituar ushtrinë koreanojugore.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Koresë së Jugut tha se aleatët lëshuan raketa tokë-tokë të Sistemit të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) nga një rajon bregdetar lindor në provincën Gangwon duke filluar nga ora 4:45 e mëngjesit për rreth 10 minuta.
"Lëshimi i kombinuar i raketave tokë-tokë nga Koreja e Jugut e ShBA-ja tregoi aftësinë dhe pozicionin për të nisur sulme të menjëhershme të sakta mbi origjinat e provokimeve dhe komandën e forcat e tyre mbështetëse. Ushtria jonë dënon fuqishëm vargun e provokimeve me raketa balistike të Veriut dhe i kërkon seriozisht të ndalojë menjëherë aktet që rrisin tensionet ushtarake në gadishull dhe shtojnë shqetësimet e sigurisë," tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Koresë së Jugut në një njoftim shtypi.
Ushtria koreanojugore u shpreh se Koreja e Veriut lëshoi tetë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga katër pika të ndryshme në ujërat lindore të dielën. Pheniani nuk ka komentuar mbi raportin.
Lëshimet më të fundit të raketave nga Koreja e Veriut dhe aleanca Kore e Jugut-ShBA kryhen në kushtet e përshkallëzimit të tensioneve në Gadishullin Korean. Koreja e Veriut lëshoi një seri raketash balistike në maj - para dhe pas betimit të presidentit të ri të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol. Seuli pohoi gjithashtu se Pheniani ka përfunduar përgatitjet për një provë bërthamore.







