
Ministri i Shkencës dhe i Teknologjisë i Kinës Wang Zhigang(Foto:VCG)
Në dekadën e fundit Kina ka pasur përparimin më të madh në shkencë e teknologji, duke u ngjitur në vendin e 12-të në listën globale të ekonomive më inovative, nga vendi i 34-t që ishte në vitin 2012. Kështu u shpreh të hënën në një konferencë shtypi në Pekin ministri kinez i Shkencës dhe i Teknologjisë, Wang Zhigang.
Në vitin 2021, shpenzimet e përgjithshme në kërkim-zhvillim të Kinës arritën në 2.79 trilionë juanë (rreth 420 miliardë dollarë), duke zënë 2.44 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit. Kjo shifër është afër nivelit mesatar të vendeve së Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD) dhe më shumë se investimi prej 1.03 trilion juanësh në kërkim-zhvillim në vitin 2012, i cili zinte 1.91 për qind të PBB-së së Kinës në atë kohë, tha z. Wang.

Dronët spërkatin pesticid, Lianyungang, provincë Jiangsu, 28 prill(Foto:VCG)
Sipas tij, edhe numri i talenteve të shkencës e teknologjisë në Kinë ka qenë gjithashtu në rritje gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2021, fuqia punëtore e Kinës në kërkim-zhvillim arriti në 5.62 milionë vite-njeri, më shumë se niveli global dhe 1.7 herë më e lartë se në vitin 2012
Numri i patentave të shpikjeve të zotëruara nga Kina për 10 000 veta u rrit në 19.1 vitin e kaluar, nga 3.2 në 2012-n.
Kina do të hapet më gjerë ndaj botës në fushën e shkencës dhe të teknologjisë, do të zhvillojë shkëmbime e do të bashkëpunojë me më shumë vende dhe do të japë një ndihmesë më të madhe në arritjet shkencore dhe teknologjike të botës e zhvillimin e qëndrueshëm, tha ministri Wang.

Stacioni hapësinor i Kinës Tiangong pas përurimit(Foto:VCG)
Kina ndjek një strategji bashkëpunimi tekniko-shkencor ndërkombëtar të hapur, përfshirës e me përfitime të ndërsjella, duke bashkëpunuar me 161 vende dhe rajone, shtoi ai.
Infrastruktura shkencore dhe teknologjike më e përparuar në botë, si Radioteleskopi Sferik me Diametër Pesëqind Metra (FAST), është e hapur për të gjithë shkencëtarët nga mbarë bota, e jo vetëm për ata vendas. FAST-i ka ofruar shërbime vëzhgimi për 27 projekte shkencore nga 14 vende të botës.
Kina nisi në hapësirë të dielën anijen kozmike me ekuipazh “Shenzhou-14”, duke dërguar tre taikonautë për një mision gjashtëmujor për përfundimin e ndërtimit të stacionit hapësinor kinez brenda fundit të vitit.

Radioteleskopi Sferik me Diametër Pesëqind Metra (FAST)(Foto:VCG)
Ndërsa Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar do të dalë nga funksionimi në vitet e ardhshme, stacioni hapësinor kinez do të bëhet i vetmi që do të rrotullohet rreth Tokës. Zyrtarët nga Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kanë ftuar edhe astronautët e huaj të marrin pjesë në misionet e ardhshme të stacionit hapësinor të Kinës.







