Kina do të vazhdojë të kërkojë zhvillimin në lidhjet me Ishujt Kuk, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një videotakimi me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi të Paqësorit Jugor, Mark Brown.

[Foto: Ministria e Jashtme e Kinës]

[Foto: Ministria e Jashtme e Kinës]

Që kur Kina vendosi marrëdhënie diplomatike me Ishujt Kuk, të dyja palët e kanë respektuar njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën si të barabartë dhe kanë promovuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, tha Wang, duke shtuar që vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve është rritur rreth 300-fish.

Ai vuri në dukje se Kina ka punuar aktivisht për të zbatuar projektet për të mbështetur jetesën në Ishujt Kuk dhe ka kryer bashkëpunim trepalësh me Zelandën e Re, duke luajtur një rol aktiv në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe rritjen e standardeve të jetesës të Ishujve Kuk.

Të dy vendet e kanë mbështetur njëri-tjetrin në luftën kundër pandemisë së COVID-19 dhe miqësia ndërmjet tyre është thelluar më tej, shtoi ministri i Jashtëm kinez.

Sipas tij, Kina do ta shfrytëzojë 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të rritur besimin e ndërsjellë dhe për të thelluar bashkëpunimin praktik me Ishujt Kuk, për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.

Wang Yi bëri thirrje për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha si turizmi, infrastruktura dhe arsimi, duke shtuar se Kina është e gatshme të mbështetet në përvojën e suksesit të kaluar për të eksploruar më tej bashkëpunimin trepalësh.

Nga ana e tij, Brown tha se Ishujt Kuk vlerësojnë mbështetjen afatgjatë të Kinës, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.

Sipas tij, marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy vendeve kanë dëshmuar se Kina i trajton vendet e vogla me sinqeritet dhe zbaton konceptin e përfitimeve të ndërsjella me veprime konkrete.

Brown theksoi se ai i çmon marrëdhëniet me Kinën dhe beson se e ardhmja e Ishujve Kuk është e lidhur ngushtë me Kinën, duke shtuar se është i gatshëm të punojë me Kinën për të nxitur një zhvillim më të madh të marrëdhënieve dypalëshe në 25 vjetët e ardhshëm.

Ai u shpreh se do të inkurajojë më shumë të rinj në vend që të mësojnë kinezisht për forcimin e shkëmbimeve njerëzore ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri gjithashtu vuri në dukje se Ishujt Kuk u kushtojnë rëndësi të madhe mekanizmit të Takimit të Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit dhe hapave të ardhshëm të bashkëpunimit të propozuar nga Kina, dhe është i gatshëm të punojë me vendet e tjera ishullore partnere për të forcuar komunikimin dhe bashkërendimin, për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të ndryshme që ka sjellë pandemia.

Wang tha se të gjitha palët janë të një mendjeje se Takimi i Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit është bërë një platformë e dobishme dhe mekanizëm efektiv për bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet Kinës e ishujve të Paqësorit dhe janë të gatshme të vazhdojnë të çojnë përpara këtë proces e të shtojnë bashkërisht konsensusin për zhvillimin rajonal.

Kina ka shkëmbime me ishujt e Paqësorit për gati gjysmë shekulli, dhe bashkëpunimi dypalësh është fokusuar gjithmonë në zhvillimin ekonomik dhe jetesën e njerëzve, tha ministri i jashtëm kinez. Sipas tij, Kina do të mbetet një mike e partnere e mirë për të trajtuar së bashku sfidat, për të synuar zhvillim të përbashkët dhe për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët.