Foto:VCG

Foto:VCG

Zv.përfaqësuesja Tregtare e ShBA-së Sarah Bianchi pati të mërkurën një videotakim me përfaqësuesin e rajonit të Tajvanit të Kinës, ku u shpall fillimi i së ashtuquajturës “Nismë tregtare për shekullin e 21-të”. Kjo është një tjetër farsë politike e krijuar nga ShBA-ja dhe Tajvani me tregtinë si pretekst, thuhet në një koment të CMG-së, duke shtuar se qëllimi i kësaj nisme është përpjekja e vjetër e “kufizimit të Kinës duke shfrytëzuar çështjen e Tajvanit” dhe “kërkimi i pavarësisë me mbështetje nga ShBA-ja”. Kjo në fakt ka shkelur premtimet e ShBA-së në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe do t’i çojë marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve në një gjendje të rrezikshme.

Sipas tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, ShBA-ja pranon që në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është pjesë e Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është qeveria e vetme e ligjshme e Kinës. Ndërkohë, ShBA-ja premton që të mbajë vetëm lidhje jozyrtare, si kulturore e tregtare, me rajonin e Tajvanit. Nga kjo mund të shohim që parimi i “Një Kine” është parakushti i pjesëmarrjes së rajonit të Tajvanit në bashkëpunimin ekonomik me botën e jashtme, theksohet në koment. Këtë herë, ShBA-ja përpiqet të nënshkruajë marrëveshje me autoritetet e Tajvanit me përmbajtje sovraniteti dhe natyrë zyrtare, çka ka shkelur parimin e “Një Kine” dhe ka lëshuar një sinjal të gabuar për forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”. Kjo ka provuar sërish që ShBA-ja vepron ndryshe nga ato që thotë dhe, mbi çështjen e Tajvanit, ka shkelur herë pas here premtimet e bëra.

Çështja e Tajvanit lidhet me interesat thelbësore të Kinës dhe është çështja më e rëndësishme, më e ndjeshme dhe më thelbësore në marrëdhëniet Kinë-ShBA, shprehet CMG-ja. Pekini ka deklaruar qartë se nëse nuk trajtohet mirë çështja e Tajvanit, kjo do të ketë ndikime shkatërruese për marrëdhëniet kino-amerikane. Administrata e tanishme amerikane ka premtuar shumë herë që do të ngulë këmbë në politikën e “Një Kine” dhe nuk do të mbështetë “pavarësinë e Tajvanit”, por veprimet konkrete të saj janë ndryshe prej fjalëve. Nga fjalimi i Blinkenit mbi politikën për Kinën, ku promovohet zgjerimi i hapësirës së Tajvanit në arenën ndërkombëtare, deri në vizitat e kongresmenëve amerikanë në Tajvan dhe shpalljen e “Nismës tregtare për shekullin e 21-të”, Uashingtoni po hedh njërin hap pas tjetrit në rrugën e gabuar, duke trazuar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit.

Kina duhet medoemos të ribashkohet dhe me siguri do të ribashkohet. Kjo është prirja e madhe e historisë dhe asnjë individ ose forcë nuk mund ta ndalojë, mbyllet komenti.