Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi kontenë Lushan në qytetin Ya'an të provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, në orën 17:00 të së mërkurës, njoftoi Qendra e Rrjetit Sizmologjik e Kinës.

Zjarrfikës mobilizohen për punën e shpëtimit(Foto:VCG)
Të paktën tre veta janë plagosur rëndë, raportoi media duke cituar departamentin e shëndetësisë të Ya'an-it.
Epiqendra ishte në një thellësi 17 km, në 30.37 gradë gjerësi veriore dhe 102.94 gradë gjatësi lindore, tha Qendra e Rrjetit Sizmologjik.
Një goditje me magnitudë 4.5 u monitorua gjithashtu tre minuta më vonë në kontenë Baoxing aty pranë.
Lëkundje të forta u ndien gjithashtu në kryeqendrën e provincës Sichuan, Chengdu, dhe bashkinë Chongqing, thanë përdoruesit e internetit.
Mbi 1 400 zjarrfikës të provincës u mobilizuan, ndërsa ekipet e shpëtimit prej provincave fqinje Guizhou e Yunnan dhe Chongqing-ut janë përgatitur si përforcime.

Çadrat e ndihmës krijohen në spitalin e kontesë(Foto:VCG)

Pamja nga konteja Lushan(Foto:VCG)
Departamenti i zjarrfikësve i provincës Sichuan njoftoi se disa shtëpi në Lushan janë dëmtuar pjesërisht dhe se po vazhdon komunikimin me kontetë dhe qytezat përkatëse që janë prekur.
Bashkia e Ya'an-it ka aktivizuar reagimin emergjent të Nivelit II, në sistemin me katër nivele të reagimit emergjent.
Ministria e Menaxhimit të Emergjencave të Kinës ka dërguar gjithashtu një ekip ekspertësh në Lushan për operacionet e ndihmës dhe të shpëtimit.
Për shkak të dy tërmeteve, autoriteti hekurudhor i Kinës ka ndalur urgjentisht seksionet përkatëse të linjave hekurudhore.(Artan)







