Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti kinez Xi Jinping i vlerësoi të martën miqësinë dhe marrëdhëniet Kinë-Zambia në një bisedë telefonike me homologun zambian Hakainde Hichilema.

Në bisedë, kreu i shtetit i Kinës theksoi se zhvillimi i bashkëpunimit me vendet afrikane, duke përfshirë Zambian, është një zgjedhje strategjike afatgjatë dhe e vendosur e palës kineze. Ai shprehu shpresën që të dy palët do të zbatojnë politika të jashtme të pavarura, do të ruajnë drejtësinë ndërkombëtare e do të mbrojnë sistemin ndërkombëtar me OKB në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar mbi ligjet ndërkombëtare.

“Kina është e gatshme të nxisë ndërtimin cilësor të ‘Një brez, një rrugë’ e të thellojë bashkëpunimin në fushat e shëndetësisë, të zbutjes së varfërisë, të investimeve, të tregtisë, të zhvillimit të gjelbër e të ekonomisë digjitale, për ta ndihmuar Afrikën të realizojë rigjallërimin ekonomik e zhvillimin e vazhdueshëm dhe për të promovuar ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta kino-afrikane,” tha presidenti Xi.

Ndërsa homologu i tij zambian Hichilema shprehu admirim për arritjet e Kinës në fusha të ndryshme dhe e falënderoi palën kineze për ndihmën e rëndësishme që ka dhënë për zhvillimin e vendit të tij, duke përfshirë ofrimin e vaksinave kundër COVID-19. Zambia është e gatshme të forcojë komunikimin me Partinë Komuniste të Kinës, të thellojë miqësinë tradicionale dhe të nxitë përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt, vuri në dukje ai. (Zhang Yan/Artan)