Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi duke mbajtur një videofjalim gjatë një simpoziumi në internet mbi Henri Kisingerin dhe marrëdhëniet kino-amerikane. / Ministria e Jashtme e Kinës

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi duke mbajtur një videofjalim gjatë një simpoziumi në internet mbi Henri Kisingerin dhe marrëdhëniet kino-amerikane. / Ministria e Jashtme e Kinës

Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u kërkoi të martën Shteteve të Bashkuara të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe të menaxhojnë siç duhet dallimet, për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet kino-amerikane.

Kreu i diplomacisë kineze i tha këto gjatë një simpoziumi në internet të organizuar nga Instituti për Punët e Jashtme i Popullit Kinez me rastin e 99-vjetorit të lindjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit Henri Kisinger. Në simpozium, të pranishmit u hodhën një vështrim përpjekjeve të Kisingerit për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane dhe diskutuan mënyrat për të forcuar këto marrëdhënie.

Në fjalën e vet, Wang Yi theksoi se ndërtimi i një bote të ndërlidhur, të larmishme dhe përfshirëse është një përgjegjësi e përbashkët e Kinës dhe e Shteteve të Bashkuara.

"Nëse ShBA-ja i sheh marrëdhëniet me Kinën vetëm në kuadrin e konkurrencës ndërmjet vendeve të mëdha dhe përcakton si objektiv të politikës së vet mendësinë 'fitore ose humbje', ajo vetëm se do t'i çojë marrëdhëniet dypalëshe në kundërvënie e konflikt dhe botën në ndarje e trazira," tha ai.

Detyra kryesore e Kinës është të përqendrohet në zhvillimin e saj dhe të përmbushë aspiratat e popullit të vet për një jetë më të mirë, theksoi kryediplomati.

Ai tha se, në një epokë trazirash dhe ndryshimesh, njerëzimi ka nevojë për një filozofi të re diplomatike të bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke i bërë thirrje Uashingtonit të ndërmarrë veprime për t’u dhënë energji pozitive marrëdhënieve kino-amerikane.

Ndërkohë, një ditë më parë, duke komentuar gjatë vizitës së vet në Fixhi mbi Kornizën Ekonomike të Indo-Paqësorit të propozuar nga ShBA-ja, këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se ShBA-ja përpiqet t’i politizojë çështjet ekonomike. Sipas tij, edhe tregtia e zakonshme e mallrave matet me “kutin” nëse përputhet me vlerat amerikane.

"Korniza pretendon të krijojë një rend të ri lirie, hapjeje dhe përfshirjeje, por si mund të jetë një kornizë ekonomike e lirë pa ulur tarifat? Pa hyrje në treg, si mund të flasim për hapje? Nëse përjashtojmë qëllimisht Kinën, tregun më të madh në rajon, e madje në botë, si mund të flasim për gjithëpërfshirje?" pyeti Wang.

Sipas tij, ShBA-ja po përpiqet t’i formësojë vendet e tjera sipas standardeve e rregullave të veta dhe të përjashtojë sistemin e tregtisë shumëpalëshe me Organizatën Botërore të Tregtisë në themel.

Praktika të tilla bien ndesh me ligjet bazë ekonomike, me tregun e lirë dhe me prirjen e globalizimit ekonomik, shtoi Wang Yi.(Artan)