
Foto: VCG
Kompania kineze e naftës “Sinopec Overseas Oil and Gas Limited” (SOOGL) dhe gjiganti algjerian i naftës “Sonatrach” nënshkruan të shtunën një kontratë me vlerëprej 490 milionë dollarësh amerikanë për kërkimin e naftës dhe gazit në fushën Zarzaitine të Algjerisë, rreth 1500 km në juglindje të Algjerit, njoftoi “Xinhua”.
Sipas një njoftimi të përbashkët për shtyp të dy kompanive, “SOOGL” dhe “Sonatrach” do të bashkëpunojnë në shpimin e puseve të reja, rimbushjen e puseve ekzistuese, rinovimin e objekteve të naftës dhe reduktimin e emetimeve të karbonit. Sipas kontratës, pritet të prodhohen 95 milionë fuçi naftë.
Ministri algjerian i Energjisë dhe Minierave, Mohamed Arkab, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, e cilësoi “Sinopec” si një partner kyç për “Sonatrach”.
“Partneri kinez ka përvojë. Ata do të vazhdojnë të punojnë së bashku në bazë të një kontrate të favorshme, ndërkohë që ndajnë rreziqet dhe kostot, në mënyrë që të kërkojnë dhe eksplorojnë më shumë naftë dhe gaz, dhe në fund të ndihmojnë Algjerinë të arrijë sigurinë kombëtare të energjisë në afat të mesëm dhe afatgjatë”, -tha ai përpara ceremonisë së nënshkrimit.
Drejtori i përgjithshëm i “Sonatrach”, Toufik Hakkar tha se kompania synon të zgjerojë aftësitë e saj të kërkimit të naftës dhe gazit në mënyrë që të nxisë eksportet e naftës dhe të përmbushë kërkesën në rritje lokale.
“Sonatrach” ka caktuar një buxhet investimi me vlerë 40 miliardë dollarë amerikanë për pesë vitet e ardhshme për kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe kërkimin dhe nxjerrjen e gazit.







