Foto:VCG

Foto:VCG

Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, vizitoi Kinën në fund të majit. Të shtunën, zv.ministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu informoi mbi këtë vizitë në një intervistë për mediet.

Ma tha se, me ftesën e qeverisë kineze, Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së Michelle Bachelet vizitoi Kinën nga 23 deri më 28 maj. Kjo është vizita e parë e zonjës Bachelet në Kinë që kur ajo mori detyrën, si dhe vizita e parë e një komisionari të lartë për të drejtat e njeriut të OKB-së në 17 vjet.

Presidenti Xi Jinping zhvilloi një videotakim me komisionaren Bachelet më 25 maj. Edhe këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm Wang Yi u takua me shefen e OKB-së për të drejtat e njeriut. Gjithashtu, zyrtarë të lartë nga Gjykata e Lartë Popullore, Prokuroria e Lartë Popullore, Ministria e Punëve të Jashtme, Komisioni Kombëtar për Çështjet e Kombësive, Ministria e Sigurisë Publike, Ministria e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore dhe Federata Pankineze e Gruas zhvilluan përkatësisht bisedime me Bachelet.

Të dyja palët patën diskutime të gjera, të thella dhe të sinqerta, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të hapjes. Pala kineze i bëri komisionares së lartë një paraqitje të gjithanshme mbi rrugën, filozofinë dhe arritjet e zhvillimit të të drejtave të njeriut në Kinë. Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi qeverisjen globale të të drejtave të njeriut, punën shumëpalëshe për të drejtat e njeriut, bashkëpunimin e Kinës me Zyrën e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OHCHR) dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Në Guangzhou, znj. Bachelet vizitoi projekte që pasqyrojnë demokracinë e Kinës në nivel komuniteti, zbutjen e varfërisë, mbrojtjen ligjore, mbrojtjen e mjedisit, mirëqenien e njerëzve, mbrojtjen e të drejtave të grupeve të veçanta dhe edukimin për të drejtat e njeriut.

Ndërsa në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, zyrtarja më e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut u njoh me masat e marra dhe arritjet e rajonit në luftën kundër terrorizmit dhe çradikalizimin, zhvillimin ekonomik e shoqëror, çështjet etnike e fetare, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të punës. Ajo gjithashtu bëri vizita në Kashgar dhe Urumqi, ku pati biseda me njerëz nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë pjesëtarë nga pakicat kombëtare, akademikë dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm shoqërorë.