Foto:VCG

Foto:VCG

Njësia e parë e ruajtjes së energjisë së ajrit të kompresuar në një shpellë kripe në Kinë hyri në funksion në qytetin Changzhou, provinca Jiangsu Lindore, duke shënuar përparim të rëndësishëm në kërkimin dhe aplikimin e teknologjisë së re kineze për sa i përket ruajtjes së energjisë, shkruan “Xinhua”.

Centrali përdor energjinë elektrike për të ngjeshur ajrin në një shpellë kripe nëntokësore, dhe më pas e lëshon atë për të drejtuar një turbinë ajri, e cila mund të prodhojë energji elektrike kur të jetë e nevojshme.

Shpella e kripës u formua pas shfrytëzimit të shtresës së kripës nëntokësore të zonës. E pozicionuar në rreth 1000 metra thellësi, ajo ka një depozitë me një madhësi sa 105 pishina. Kapaciteti i ruajtjes së energjisë në çdo cikël arrin në 300.000 kWh energji elektrike, një shifër e barabartë me konsumin ditor të energjisë elektrike për rreth 60.000 banorë.

“Teknologjia e ajrit të kompresuar mund të mbështesë ndërtimin e një lloji inovativ të sistemit energjetik, duke përdorur energjitë e reja si boshti kryesor, një faktor i aftë për të ndihmuar vendin në arritjen e kulmit të emetimeve të karbonit dhe neutralitetit të karbonit”, -tha Zhou Ting, zëvendësdrejtor i degës së “State Grid” në Changzhou.

Njësia e ruajtjes së energjisë u zhvillua bashkërisht nga “China National Salt Industry Group Co., Ltd.”, “China Huaneng Group” dhe Universiteti Tsinghua. (Irma)