I dërguari special i Kinës për klimën, Xie Zhenhua, bëri thirrje që vendet mos të braktisin Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimaterike. Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Xie u kërkoi të gjitha vendeve të punojnë së bashku për çështjen e klimës, bën të ditur “China Daily”.

“Ne duhet t'i kthejmë zotimet tona në veprime konkrete”, -tha Xie, i cili përfaqësoi Kinën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ose COP26, në Glasgow në nëntor, kur u finalizua libri i rregullave për Marrëveshjen e Parisit dhe ku vendet ranë dakord të reduktojnë mbështetjen për lëndët djegëse fosile.

Pavarësisht këtij progresi, emetimet globale të karbonit u rritën me 6 për qind dhe energjia e prodhuar nga qymyri u rrit me 9 për qind në vitin 2021, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

“Në Davos, ne po përballemi me një sfidë edhe më të madhe se më parë”, -tha Xie, ndërsa merrte pjesë në një panel diskutimi së bashku me të dërguarin special presidencial të SHBA-së për klimën, John Kerry, i cili tha se vendet nuk duhet të përdorin konfliktin Rusi-Ukrainë si justifikim për të vonuar veprimet për ngrohjen globale.

Kohët e fundit, konflikti Rusi-Ukrainë ka ndërprerë furnizimin e gazit, duke nxitur disa vende të zhvilluara të eksplorojnë projekte të reja vendase të karburanteve fosile në mënyrë që të forcojnë sigurinë e energjisë. (Irma)