
foto/VCG
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun tha të enjten se sanksionet nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes bërthamore në Gadishullin Korean, por përkundrazi, do të shkaktojnë një "përshkallëzim" me pasoja humanitare.
Ai i bëri komentet pasi Kina vuri veton ndaj një propozimi të udhëhequr nga ShBA-ja në OKB për të ashpërsuar sanksionet ndaj Koresë së Veriut pas lëshimit të raketave nga Pheniani.
"Faktet kanë vërtetuar se dialogu dhe negociatat janë mënyra e vetme për të zgjidhur problemin," tha Zhang.
Ai shtoi se sanksionet shtesë do të kishin gjithashtu një ndikim më të madh humanitar, veçanërisht në sfondin e shfaqjes së COVID-19 në Korenë e Veriut.
"Sanksionet shtesë kundër Koresë e Veriut vetëm sa do të shtojnë vuajtjet e popullit koreanoverior, dhe në këtë kuptim, ato nuk janë as të drejta dhe as njerëzore," theksoi ai.
Zhang e akuzoi gjithashtu ShBA-në se nuk u është përmbajtur rezultateve të dialogut të mëparshëm midis Uashingtonit dhe Phenianit.
Shtetet e Bashkuara "nuk duhet të vënë theksin e njëanshëm vetëm në zbatimin e sanksioneve, po duhet gjithashtu të punojnë për të nxitur një zgjidhje politike," u shpreh ai.
Duke vënë në dukje se situata në Gadishull është në një moment të rrezikshëm, Zhang u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi e përmbajtje dhe e nxiti Uashingtonin të ndërmarrë veprime konkrete për t'iu përgjigjur shqetësimeve të ligjshme dhe të arsyeshme të Phenianit. (Artan)







