VCG

VCG

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me ministren e re të Jashtme të Francës Catherine Colonna. Të dy kryediplomatët u zotuan për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës e BE-së.

Wang u shpreh se Franca, si një vend i madh me ndikim global, ka ndjekur gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur. Përballë ndryshimeve që po ndodhin në botë, është e nevojshme që Kina dhe Franca të thellojnë bashkërendimin e tyre strategjik.

Krerët e shteteve të të dy vendeve kanë krijuar besim dhe miqësi solide të ndërsjellë dhe kanë mbajtur komunikim të ngushtë, që ka shërbyer si udhërrëfyes strategjik për të dyja vendet për të trajtuar së bashku sfidat globale dhe për të sjellë qëndrueshmëri në një botë të trazuar, shtoi ai.

Wang vuri në dukje se të dy krerët e shteteve ranë dakord kohët e fundit, në bisedimet e tyre telefonike, për vijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Francës dhe për respektimin e interesave thelbësore të njëri-tjetrit. Ai u kërkoi të dyja palëve të zbatojnë bashkërisht konsensusin e arritur nga të dy liderët dhe të bëjnë përpjekje të reja për nxitjen e marrëdhënieve Kinë-Francë, thellimin e bashkëpunimit Kinë-BE dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

Nga ana e saj Catherine Colonna, duke e quajtur Kinën një mike dhe partnere kyçe të Francës, tha se Parisi i kushton rëndësi të madhe zbatimit të konsensusit të rëndësishëm të arritur nga krerët e dy vendeve dhe të planit të veprimit për lidhjet dypalëshe.

Franca është e përkushtuar për të forcuar miqësinë dypalëshe dhe është e gatshme të ruajë shkëmbimet e nivelit të lartë, duke e shfrytëzuar 60- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin konkret në një gamë të gjerë fushash, për ta ngritur partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh në një nivel të ri, tha ajo.

Ndërsa Wang u shpreh se bashkëpunimi konkret kino-francez jo vetëm që ka sjellë përfitime për të dy vendet, por gjithashtu ka kontribuuar edhe në paqen dhe zhvillimin botëror. Sipas tij, Pekini i jep përparësi zbatimit të planit të veprimit për marrëdhëniet Kinë-Francë dhe është i gatshëm t’i japë vazhdimisht përmasa të reja bashkëpunimit dypalësh.

Të dy palët ranë në një mendje gjithashtu që të udhëheqin bashkërisht prirjen pozitive për bashkëpunimin global mbi ndryshimin e klimës dhe ruajtjen e larmisë biologjike, si edhe të punojnë për arritjen e suksesit në pjesën e dytë të mbledhjes së 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik të OKB-së (COP15).

Kryediplomati kinez theksoi se Kina mbështet me vendosmëri integrimin evropian dhe e përkrah Francën që të luajë rolin e saj si kryetare e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian për të rritur autonominë strategjike të Evropës.

Duke theksuar se miqësia është tipari përcaktues i marrëdhënieve Kinë-BE dhe bashkëpunimi është prirja kryesore e tyre, Wang tha se Kina dhe BE-ja janë partnere e jo rivale të njëra-tjetrës.

Kina dhe BE-ja duhet të shmangin të ashtuquajturën “diplomaci të megafonit” dhe të zhvillojnë komunikim të sinqertë e të thellë mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe të rritjes së mirëkuptimit të dyanshëm, shtoi ai.

Colonna tha se Franca ka traditën e diplomacisë së pavarur dhe është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit BE-Kinë dhe trajtimin e përbashkët të sfidave globale.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Ukrainës dhe situatën në Gadishullin Korean.

Situata ruso-ukrainase, tha Wang, ka arritur në një udhëkryq të ri. Nga njëra anë, konflikti priret të jetë i zgjatur dhe i ndërlikuar, dhe nga ana tjetër, ka thirrje në rritje për paqe dhe përpjekje për të nxitur bisedimet e paqes. Përparësia e menjëhershme është që të gjitha palët të punojnë së bashku për të lehtësuar dialogun, në vend që të ndezin flakët e konfliktit.

Të dy kryediplomatët ranë dakord që të dy palët duhet të luajnë një rol konstruktiv për të nxitur dialogun për paqen në Ukrainë.