Më 21 maj, presidenti amerikan Joe Biden firmosi zyrtarisht, gjatë vizitës në Korenë e Jugut, projektligjin e ndihmës ndaj Ukrainës me një vlerë prej 40 miliardë dollarësh. Më parë, ky dokument ishte miratuar “me shpejtësinë e rrufesë”në Kongresin amerikan.

Për anëtaren republikane të Dhomës së Përfaqësuesve Marjorie Taylor Greene, kjo projektligj duket më shumë si një plan “pastrimi parash”, sepse një pjesë e ndihmës do të futet në xhepat e organizatave jofitimprurëse dhe joqeveritare që kanë lidhje të ngushtë me qarqet politike të Uashingtonit.

Përveç kësaj, shumica e 20 miliardëve për ndihmën ushtarake do t’i shkojnë kompleksit ushtarako-industrial amerikan.

Nga ana tjetër, amerikanët e thjeshtë shqetësohen gjithnjë e më shumë për çështjet ekonomike dhe të mirëqenies së tyre. Niveli i inflacionit, që ka shënuar rekordin më të lartë në 40 vjetët e fundit, ka ulur aftësinë blerëse të tyre. Ndërkohë, disa projektligje për kontrollin e armëve dështuan gjatë shqyrtimit në Kongres.

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, një projektligj me vlerë 40 miliardë dollarë nuk mund të përmirësojë jetën e banorëve amerikanë, dhe furnizimi me armë nuk mund t’i sjellë paqe Ukrainës. Gjëja më e ngutshme është të çtensionohet konflikti, jo t’i hidhet benzinë zjarrit.