Presidenti kinez Xi Jinping zhvillon videotakim me Komisionaren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet,25 maj,Pekin(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping zhvillon videotakim me Komisionaren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet,25 maj,Pekin(Foto:Xinhua)

Nëse ndjenja e fitimit, e lumturisë dhe e sigurisë së njerëzve është rritur, ky është kriteri më i rëndësishëm për të testuar gjendjen e të drejtave të njeriut në një vend. Kështu vuri në dukje presidenti kinez Xi Jinping gjatë një videotakimi të mërkurën me Komisionaren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, që gjendet në Kinë për vizitë.

Duke vënë në dukje se Kina ka çelur me sukses një rrugë zhvillimi të të drejtave të njeriut që përputhet me prirjen e kohës dhe u përshtatet kushteve të saj kombëtare, Xi tha se të drejtat e njeriut të popullit kinez janë mbrojtur si kurrë më parë.

Për të çuar bashkërisht përpara kauzën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për të sjellë përfitime për popujt e të gjitha vendeve, Kina është e gatshme të angazhohet në mënyrë aktive në dialogun dhe bashkëpunimin për të drejtat e njeriut me palët e tjera, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, për të zgjeruar konsensusin dhe për të pakësuar dallimet, vuri në dukje ai.


Përparësitë në zhvillimin e të drejtave të njeriut

Jeta e lumtur është e drejta më e madhe njerëzore, theksoi kreu i shtetit i Kinës, duke bërë thirrje për të ndjekur një filozofi të të drejtave të njeriut që vë njeriun në qendër.

Kauza e të drejtave njerëzore nis dhe mbaron pikërisht me interesat e njerëzve, shtoi ai.

Populli duhet të jetë zoti i vërtetë i vendit të vet dhe pjesëmarrësi, promovuesi dhe përfituesi kryesor i zhvillimit të të drejtave të njeriut, i tha presidenti Xi znj. Bachelet.

Sipas tij, vendet ndryshojnë prej njëri-tjetrit nga historia, kultura, sistemi shoqëror e niveli i zhvillimit ekonomik-shoqëror dhe duhet të promovojnë e mbrojnë të drejtat e njeriut sipas realiteteve kombëtare dhe nevojave të popujve të tyre.

Duhet të nxiten të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, tha Xi Jinping-u, duke shtuar se të drejtat e njeriut janë një koncept gjithëpërfshirës dhe duhet të zhvillohen në mënyrë të gjithanshme dhe sistematike.

Për vendet në zhvillim, të drejtat për jetesë e zhvillim janë të drejta kryesore njerëzore, tha ai.

Xi gjithashtu u shpreh se duhet të promovohet qeverisja globale e të drejtave të njeriut.

Asnjë vend nuk duhet ta politizojë e ta instrumentalizojë çështjen e të drejtave të njeriut, të praktikojë standarde të dyfishta apo të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera nën pretekstin e të drejtave të njeriut, tha ai, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet aktive të Kombeve të Bashkuara në promovimin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut.


Përpjekjet e përbashkëta për kauzën globale të të drejtave të njeriut

Nga ana e saj, Bachelet vuri në dukje se Zyra e Komisionarit të Lartë është e gatshme të forcojë komunikimin me Kinën, të eksplorojë bashkëpunimin dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta për të promovuar përparimin e të drejtave të njeriut në nivel global.

“Kjo është vizita e parë në Kinë e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në 17 vjet, dhe unë i kushtoj shumë rëndësi dhe e vlerësoj këtë vizitë,” tha ajo.

Znj. Bachelet shtoi më tej se i admiron përpjekjet dhe arritjet e Kinës në çrrënjosjen e varfërisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe e vlerëson rolin e rëndësishëm të Kinës në mbështetjen e multilateralizmit, përballimin e ndryshimit klimatik dhe të sfidave të tjera globale dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm global.(Artan)