Në biseda telefonike të premten me ministrin e Jashtëm të Uruguait Francisco Bustillo, ministrin e Jashtëm të Ekuadorit Juan Carlos Holguin dhe ministrin e Jashtëm të Nikaraguas Denis Moncada, këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shtjelloi qëndrimin dhe pikëpamjet e Kinës për zhvillimin e marrëdhënieve me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Megjithëse Kina dhe vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve janë shumë larg njëra-tjetrës, ato kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe gjithmonë e kanë mbështetur dhe ndihmuar njëra-tjetrën, tha Wang Yi, duke vënë në dukje se bashkëpunimi ndërmjet tyre është bashkëpunim Jug-Jug me përfitime të ndërsjella.

Kina i kushton rëndësi të madhe ndikimit të veçantë të Uruguait, Ekuadorit dhe Nikaraguas në çështjet rajonale dhe vlerëson kontributin e tyre në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, theksoi Wang Yi.

Sipas tij, Kina shpreson të thellojë bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme dhe t’i çojë marrëdhëniet me këto vende në një nivel më të lartë.

Duke shprehur kundërshtimin ndaj mendësisë së Luftës së Ftohtë të disa vendeve dhe përpjekjeve të tyre për të përçarë bashkësinë ndërkombëtare nëpërmjet kundërvënies ideologjike, kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje që bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Amerikës Latine bazohet te barazia e përfitimet e ndërsjella e jo te ndonjë arsye gjeopolitike, dhe nuk synon ose kërkon të zëvendësojë askënd, prandaj nuk duhet të ketë ndërhyrje nga ndonjë palë e tretë.