Foto:VCG

Foto:VCG

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të mërkurën në konferencën me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Këshillit për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës dhe Samitit Global të Tregtisë dhe të Investimeve. Ndër të tjera, në fjalimin e tij Xi Jinping-u u shpreh: “Duhet të zgjedhim dialogun e jo konfliktin, t’i prishim muret e jo t’i ndërtojmë ato, të synojmë integrimin e jo shkëputjen, të përpiqemi për përfshirjen e jo përjashtimin dhe t’i drejtojmë reformat e sistemit të qeverisjes globale në bazë të parimit të drejtësisë”.

Në kushtet e luhatjeve gjeopolitike dhe pandemisë së COVID-19, gjendja ekonomike dhe shoqërore e vendeve të ndryshme ka pasur presione të ndryshme. FMN-ja kohët e fundit publikoi raportin për perspektivën e ekonomisë botërore, duke e ulur parashikimin mbi rritjen ekonomike globale në 3.6 %, 0.8 pikë përqindjeje më pak se parashikimi i mëparshëm.

Përpara kaq shumë sfidave, si mund të dalë jashtë krizës ekonomia globale? Përgjigjja gjendet te propozimi i palës kineze: “integrim, jo shkëputje”, vihet në dukje në një koment të CMG-së.

“Globalizimi” ka qenë një fjalë e nxehtë, por ky proces është ndeshur me pengesa të ndryshme dhe disa njerëz në ShBA dhe vendet e tjera perëndimore po përpiqen të nxisin “shkëputjen” nga Kina.

Por faktet kanë provuar herë pas here që “shkëputja” nuk ka bazë në tregun ekonomik. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë së Kinës me ShBA-në u rrit pothuajse 30%, duke shënuar nivelin rekord prej 755.6 miliardë dollarësh. Të dhënat nga Ministria e Tregtisë e Kinës tregojnë që në katër muajt e parë të vitit 2022, investimet amerikane në Kinë u shtuan me 53.2 %, çka e ka kaluar ndjeshëm rritjen e përdorimit të investimeve të huaja prej Kinës, që është 20.5 %.

Si ekonomia e dytë më e madhe dhe vendi më i madh tregtar në botë, Kina ka promovuar në mënyrë aktive globalizimin ekonomik. Në fjalimin e tij, kryetari Xi ritheksoi që "vendosmëria e Kinës për të zgjeruar hapjen e nivelit të lartë nuk do të ndryshojë dhe dera e Kinës do të hapet gjithnjë e më shumë." Sipas tij, Kina do të vazhdojë të zbatojë në nivel të lartë Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), do të promovojë ndërtimin cilësor të nismës "Një brez, një rrugë" dhe do të ofrojë më shumë mundësi tregu, investimesh dhe rritjeje për qarqet globale të biznesit.

Mund të parashikojmë që, qoftë nga përmasat gjigante të tregut kinez, zinxhiri i plotë i sektorit të prodhimit, mjedisi i biznesit që po përmirësohet, qoftë për sa i përket ndërtimit të përbashkët të nismës “Një brez, një rrugë” dhe hapjes më të madhe të sjellë nga RCEP-i, ekonomia kineze do t’i sjellë një impuls më të madh gjallërimit të ekonomisë botërore, thuhet në fund të komentit të CMG-së.