Platforma kineze të shitjes online(Foto:VCG)

Platforma kineze të shitjes online(Foto:VCG)

Zëvendëskryeministri kinez Liu He bëri thirrje për mbështetje për zhvillimin e ekonomisë së platformave dhe regjistrimin në bursë të kompanive të teknologjisë, në një takim me drejtuesit dhe ekspertët e këtij sektori të martën.

Kina duhet të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të ekonomisë së platformave dhe sektorit privat, tha Liu në një sesion konsultimi të mbajtur nga Komiteti Kombëtar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.

Termi “ekonomi e platformave” u referohet platformave digjitale, duke përfshirë ato që përdoren për tregtinë në internet.

Duhet të hartohen masa për të nxitur zhvillimin e rregullt dhe të shëndetshëm të ekonomisë së platformave dhe të nxiten bizneset e platformave të marrin pjesë në projekte të mëdha kombëtare të risive tekniko-shkencore, shtoi ai.

Qeveria gjithashtu duhet të rrisë investimet e drejtpërdrejta në ekonominë digjitale, të mbështesë listimin e kompanive digjitale në bursat vendëse e të huaja dhe t'i përmbahet strategjisë së hapjes për zhvillimin e ekonomisë digjitale, tha numri dy i qeverisë kineze.

Aksionet e firmave teknologjike kineze të listuara në Hong-Kong dhe ShBA u rritën të martën pas lajmeve për këtë mbledhje. “Alibaba” dhe “Pinduoduo” patën një rritje më shumë se 6 për qind përpara mbylljes së tregut në Nju-Jork.

Kina e përshkallëzoi rregullimin e ekonomisë së platformave vjet për të frenuar zgjerimin e çrregullt të kapitalit dhe intensifikoi mbikëqyrjen e shkeljes së rregullave antimonopol dhe të privatësisë së të dhënave.

Ndërsa këtë vit theksi është vënë te mbikëqyrja e normalizuar. Kina do të ngrejë një "semafor" për kapitalin, për ta "rregulluar në mënyrë efektive kapitalin" dhe për të udhëhequr zhvillimin e shëndetshëm të tij, u vu në dukje në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike.(Artan)