Foto:VCG

Foto:VCG

Kompania Hekurudhore e Kinës njoftoi që në muajin qershor, në hekurudhën me shpejtësi të lartë Pekin-Wuhan që lidh kryeqytetin kinez me qytetin jugor Guangzhou, do të përdoren trena me një shpejtësi maksimale prej 350 km në orë.

Një provë u krye të premten në linjën që lidh Pekinin me Wuhan-in, kryeqendrën e provincës Hubei në Kinën Qendrore.

Në provë u përdor një tren “Fuxing” dhe një mjet testimi i integruar me shpejtësi të lartë, me një kontroll gjithëpërfshirës në binarët lart-poshtë, urat, telekomunikacionin, sinjalistikën dhe sistemin e linjave të sipërme elektrike. Udhëtimi filloi nga Stacioni Hekurudhor Perëndimor i Pekinit dhe vijoi në jug përgjatë hekurudhës me shpejtësi të lartë Pekin-Guangzhou.

Gjatë provës, shpejtësia e trenit arriti në 385.1 km në orë.

Shpejtësia maksimale e funksionimit përgjatë hekurudhës 2 300 km të gjatë midis Pekinit dhe Guangzhou-t është tani 310 km në orë.

Kryeinxhinieri i Kompanisë Hekurudhore të Kinës Ye Yangsheng shpjegoi për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) disa nga çështjet e sigurisë që duhen marrë parasysh për trenat që udhëtojnë me shpejtësi të lartë.

“Përshpejtimi i trenave me shpejtësi të lartë kërkon shqyrtim të gjithanshëm të faktorëve të ndryshëm, si kushtet teknike, kërkesa e tregut, kostoja e funksionimit dhe përmirësimi mjedisor,” tha ai.

"Brenda tuneleve, treni me shpejtësi të lartë është në një mjedis gjysmë të mbyllur. Rritja e trysnisë së ajrit sjell rezistencë shtesë, gjë që e rrit rezistencën ndaj trenit rreth 30 për qind në krahasim me kushtet e linjës së hapur," shtoi Ye.

Më 20 qershor, pas provës, linja Pekin-Wuhan do të funksionojë me 350 km në orë.

Aktualisht, ka vetëm katër hekurudha me shpejtësi të lartë në Kinë që funksionojnë me 350 km në orë, kryesisht për udhëtime të shkurtra. Ato janë: Pekin-Shanghai, Pekin-Tianjin, Chengdu-Chongqing dhe Pekin-Zhangjiakou. Hekurudha Pekin-Guangzhou është më e gjata për sa i përket gjatësisë së udhëtimit.