Tridhjetë e shtatë vjet më parë, kur Hu Guohua aplikoi për një patentë, ai duhej të qëndronte në radhë gjatë natës jashtë zyrës së patentave të Kinës. Tetë muaj më vonë, ai mori një certifikatë patente për shpikjen e tij, një pajisje ekrani me ngjyra për të ndihmuar në analizimin e imazheve satelitore. Menjëherë gazetat shpërndanë foto të inxhinierit të hapësirës ajrore, i cili u bë mbajtësi i parë i të drejtave të patentave në vend. Shumë ka ndryshuar gjatë viteve, pasi Kina zbatoi reforma të shumta për të shtuar efikasitetin në të gjithë sistemin dhe tashmë është bërë lider në sektorin e pronësisë intelektuale.

VCG
Ligji për Patentat në Kinë hyri në fuqi më 1 prill 1985 dhe Zyra e Patentave mori më shumë se 3400 aplikime që në ditën e parë. Certifikata e patentës së Hu ka qenë në koleksionin e Muzeut Kombëtar të Kinës që nga skadimi i dokumentit. Ai mbajti një kopje, pasi është një arritje e rëndësishme e punës së tij novatore. Shkencëtari 79-vjeçar nuk e ka ndalur kurrë vrullin e tij për inovacione, pasi ka marrë të drejta patente për të paktën 10 shpikje gjatë dekadave të fundit.
Në vitin 2019, Kina kaloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si burimi kryesor i aplikimeve për patenta ndërkombëtare të paraqitura në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) dhe që atëherë ka qëndruar në krye. Në vitin 1999, organizata mori vetëm 276 aplikime nga Kina. Deri në vitin 2021, numri u rrit në 69.540, duke shënuar një rritje 250-fish në 22 vjet.
Rritja e shpejtë e Kinës për t'u bërë kryesuesi i aplikimeve për patenta ndërkombëtare u përshëndet nga drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Daren Tang, duke e cilësuar si një arritje të mahnitshme.
Megjithëse konkurrenca është bërë shumë më e ashpër, nuk ka nevojë të rrish në radhë për të paraqitur një aplikim siç bëri Hu mbi tri dekada më parë. Sistemi i vlerësimit të patentave të Kinës është përmirësuar deri në atë pikë saqë tani mund të konsiderohet i klasit botëror. Koha mesatare e përpunimit për ekzaminimin e patentave të shpikjeve u shkurtua në 20 muaj, ndërsa regjistrimet e markave tregtare zgjasin vetëm rreth katër muaj.
Administrata Kombëtare e Pronësisë Intelektuale (NIPA) ka krijuar gjithashtu më shumë se 40 qendra në mbarë vendin, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe duke ulur kohëzgjatjen dhe koston e mbrojtjes së IP-së. Një certifikatë patente nuk është më një gjë e pazakontë në Kinë. Pronësia mesatare e patentave të shpikjeve arriti në 15.8 patenta për 10.000 persona deri në fund të vitit 2020, duke tejkaluar objektivin prej 12 patentash të vendosur në periudhën e Planit të 13-të Pesëvjeçar të vendit (2016-2020).
Ndërsa Kina ka marrë drejtimin global në numrin e aplikimeve për patenta, marka tregtare dhe dizajne industriale, ajo ka bërë gjithashtu përpjekje të mëdha për të promovuar transformimin e këtij sektori në gjitha hallkat e tij. Vendi i ka kushtuar rëndësi më të madhe forcimit të legjislacionit, me ndëshkim të rreptë për çdo shkelje.
Që nga viti 2019, vendi ka shpallur një sërë ligjesh, rregulloresh dhe udhëzimesh për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, përfshirë Ligjin për Investimet e Huaja, për të krijuar një mjedis biznesi më të drejtë, më transparent dhe të parashikueshëm për investitorët e huaj. Kina gjithashtu mori masa duke përfshirë përfundimin e të gjitha subvencioneve të patentave dhe goditjen e sjelljes së pahijshme, për të korrigjuar ndjekjen e thjeshtë të sasisë së patentave. Dhe këto përpjekje kanë sjellë njohjen ndërkombëtare.
Sipas raportit të fundit të Indeksit Global të Inovacionit 2021 të Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), Kina u ngjit nga vendi i 35-të në vitin 2013 në të 12-in në renditjen botërore dhe tani është pranë dhjetëshes më të mirë ndër 132 ekonomi, gjë që nënvizon rëndësinë e vazhdueshme të politikave dhe stimujve qeveritarë për të përkrahur inovacionin.
Marrëveshja Kinë-Bashkimi Evropian për treguesit gjeografikë (GI) hyri në fuqi vitin e kaluar, duke u mundësuar kështu konsumatorëve nga Kina dhe BE-ja të blejnë nga njëri-tjetri, 100 specialitete autentike, përfshirë verën, çajin dhe produkte bujqësore, pa u shqetësuar për cilësinë e ulët, apo mallra false. Dhe tendenca është vetëm në rritje, me Kinën që promovon bashkëpunim të ngjashëm dypalësh në këtë drejtim me Francën, Tajlandën dhe Japoninë.
“Kina do të vazhdojë ta përdorë pronësinë intelektuale për të nxitur inovacionin, veçanërisht në përmbushjen e kërkesës për teknologji dhe industri të reja, si “big data”, inteligjenca artificiale dhe teknologjia e gjeneve”, -deklaroi kreu i NIPA-s, Shen Changyu. Sipas tij, Kina do të kërkojë të marrë pjesë më shumë në qeverisjen globale të pronësisë intelektuale dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar.







