
foto nga VCG
Pretendimi se Kina ka krijuar një bazë ushtarake në Ishujt Solomon është një lajm krejtësisht i rremë i sajuar nga disa njerëz me motive të fshehta, vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian në një konferencë të rregullt për shtypin të mërkurën në Pekin.
Sipas raporteve, gjatë takimit me homologun e vet të Ishujve Solomon Jeremiah Manele në Brisbane kohët e fundit, ministrja e Jashtme australiane Marise Payne tha se Australia i respekton gjithmonë vendimet sovrane të Ishujve Solomon, por është thellësisht e shqetësuar për mungesën e transparencës në marrëveshjen e bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet Kinës dhe Ishujve Solomon. Në lidhje me këtë, Zhao Lijian vuri në dukje se vendet ishullore të Paqësorit, duke përfshirë Solomonet, janë sovrane e të pavarura dhe jo "kopshti" i ndonjë vendi.

foto nga VCG
Zhao Lijian përsëriti se është e drejta e shenjtë e dy vendeve sovrane që të negociojnë dhe të nënshkruajnë në mënyrë të pavarur marrëveshje kornizë të bashkëpunimit ndërqeveritar për sigurinë. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës dhe Ishujve Solomon është i hapur e transparent, nuk synon ndonjë palë të tretë dhe nuk bie ndesh me bashkëpunimin ndërmjet Solomoneve e partnerëve të tjerë dhe me mekanizmat ekzistues në rajon, duke qenë në interes të përbashkët të Ishujve Solomon dhe rajonit të Paqësorit Jugor.

foto nga VCG
“Australia, pa komunikuar dhe negociuar me vendet ishullore, ka krijuar blloqe ushtarake me disa vende, si Shtetet e Bashkuara e Mbretëria e Bashkuar, duke nxitur garën e armatimeve dhe duke sjellë rreziqe të përhapjes bërthamore në rajonin e Paqësorit Jugor. Qëndrimi i palës australiane është i errët e jotransparent dhe vendet e rajonit janë përgjithësisht thellësisht të shqetësuara për këtë. Pala australiane duhet të reflektojë për veten dhe të ndryshojë kursin e saj," theksoi zëdhënësi.







