
foto nga CGTN
Treguesi i çmimeve të prodhimit (PPI) i Kinës në prill u ngadalësua në krahasim me marsin, pavarësisht rritjes së çmimeve globale të mallrave, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës.
PPI-ja e Kinës në prill u rrit 8.0 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, 0.3 pikë përqindjeje më pak se në mars, nga 7.7 për qind që parashikohej në një sondazh të “Reuters”-it. Kjo ka mundësuar më shumë hapësirë për të stimuluar ekonominë, e cila përballet me trysni rënieje nga masat e rrepta për të frenuar COVID-19 dhe një ngadalësim i eksporteve dhe konsumit të brendshëm.
Rritja më e ngadaltë e PPI-së u nxit nga masat e qeverisë për të stabilizuar çmimet e mallrave dhe për të rritur ofertën, vuri në dukje Dong Lijuan, një statisticien i lartë i Zyrës Kombëtare të Statistikave.
Po muajin e kaluar treguesi i çmimeve të konsumit (CPI) i Kinës u rrit me 2.1 në krahasim me prillin e vjetshëm, nga 1.5 për qind që ishte rritja në mars, duke kaluar parashikimet prej 1.8 për qind në sondazhin e “Reuters”-it.

foto nga CGTN
Dong theksoi se rritja e CPI-së u shkaktua kryesisht nga kostot më të larta të logjistikës gjatë valës së COVID-19 në vend, masat për të luftuar virusin dhe grumbullimi i stoqeve nga konsumatorët.
Analistët e tregut presin që CPI-ja të shtohet përsëri në maj dhe PPI-ja të lehtësohet më tej.
“Ne presim që në maj inflacioni i CPI-së të rritet më tej në 2.3 për qind krahasuar me majin e vjetshëm, kryesisht për shkak të një baze të ulët dhe rezervave masive ushqimore në rajonet e goditura nga ‘Omicron’-i, ndërsa inflacioni i PPI-së ka të ngjarë të bjerë më tej në 6.6% prej një baze të lartë dhe tkurrjes së kërkesës, megjithëse ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga mbylljet e brendshme dhe konflikti Rusi-Ukrainë mund të ulin ritmet e ngadalësimit," thanë Lu Ting, kryeekonomist i “Nomura”-s për Kinën, dhe studiues të tjerë.

foto nga VCG
Zhvlerësimi i fundit i monedhës kineze RMB mund të shtojë gjithashtu disa trysni inflacioniste brenda vendit dhe rritja e inflacionit më pas mund të kufizojë hapësirën për ulje të mëtejshme të normës, theksoi Lu.







