
VCG
Zyrtarët dhe drejtuesit e biznesit në Gjermani kanë shpresa të mëdha në bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë midis Kinës dhe Gjermanisë, që ata besojnë se janë çelësi për rritjen dhe prosperitetin e të dy vendeve, të cilat shënojnë pesë dekadat e tyre të lidhjeve diplomatike këtë vit.
Kina ka qenë partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë për gjashtë vjet radhazi, duke filluar nga viti 2015, sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë (Destatis), citon “Xinhua”. Në vetëm 10 vjet, nga viti 1980 deri në vitin 1990, Kina u rrit nga vendi i 35-të në të 14-in ndër importuesit më të rëndësishëm për Gjermaninë.
"Rëndësia e Kinës për importet gjermane po rritet në mënyrë të qëndrueshme", -vuri në dukje Destatis.
“Kina është një nga tregjet më të rëndësishme të rritjes në botë dhe gjithashtu një partner i rëndësishëm për Gjermaninë në trajtimin e sfidave globale, si pandemia Covid 19 dhe ndryshimet klimatike”, -tha Juergen Friedrich, kryetar dhe shef ekzekutiv (CEO) i “Germany Trade & Invest”, agjencia e tregtisë së jashtme dhe investimeve të brendshme të vendit.
Vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe arriti një rekord të ri në vitin 2021, tha Friedrich, duke shtuar se kompanitë gjermane në Kinë vazhdojnë të shprehin synimet për investime, duke përfshirë lokalizimin e prodhimit dhe kërkimin e zhvillimin në Kinë. Duke vënë në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Gjermani, Oliver Zipse, kryetar i Bordit Drejtues të “BMW AG”, tha: "Përvoja jonë në Kinë është një shembull i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm midis dy vendeve dhe mes Kinës dhe Evropës. Nga këndvështrimi ynë, bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë çelësi për adresimin e sfidave të vazhdueshme që na presin të gjithëve. Dhe ato janë çelësi për krijimin e rritjes dhe prosperitetit. Duke parë përpara, ne jemi të inkurajuar nga premtimi i Kinës për të hapur më tej tregun e saj, si dhe nga përpjekjet e saj për të promovuar zhvillimin e gjelbër dhe inovacionin", -shtoi ai.
“Kompanitë gjermane i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit praktik dhe reciprokisht të dobishëm me Kinën dhe nxjerrin përfitime të prekshme nga bashkëpunimi i tyre me Kinën”, -tha Wang Weidong, shefi i Departamentit Ekonomik dhe Tregtar në Ambasadën e Kinës në Gjermani.
Wang tha për “Xinhua” se kompanitë gjermane kanë një interes të madh për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të tyre ekonomik dhe tregtar me Kinën.
"Kina dhe Gjermania kanë bërë arritje të rëndësishme në bashkëpunimin e tyre gjatë 50 viteve të fundit për të mirën e njerëzve të të dy vendeve dhe të botës dhe ky bashkëpunim reciprokisht i dobishëm është veçanërisht i vlefshëm në situatën e trazuar me të cilën përballet bota sot", -tha Wang.







