
Eksportet e Kinës u rritën me 10.3 për qind në katër muajt e parë të vitit. /CFP
Vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve të Kinës u shtua 7.9 për qind në katër muajt e parë të vitit 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, pavarësisht nga vështirësitë me të cilat po ndeshet tregtia e jashtme.
Sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme Doganore, vlera e tregtisë së jashtme të Kinës në janar-prill arriti në 12.58 trilionë juanë (1.88 trilionë dollarë). Eksportet u rritën 10.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kalutar, duke arritur në 6.97 trilionë juanë, ndërsa importet me 5 për qind, në vlerën 5.61 trilionë juanë.
Synimi i Kinës për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe për të përmirësuar tregtinë e jashtme gjatë gjithë vitit ka ende themele të forta, tha zëdhënësi i Administratës Li Kuiwen.
Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) mbetet partnerja më e madhe tregtare e Kinës, duke zënë 14.6 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës.
Importet dhe eksportet kineze në vendet e ASEAN-it e të Bashkimit Evropian dhe në ShBA ishin 1.84, 1.73 dhe 1.56 trilionë juanë, përkatësisht 7.2, 6.8 dhe 8.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Ndërkohë, vëllimi i përgjithshëm i importeve dhe eksporteve ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” u rrit me 15.4 për qind, ndërsa tregtia me 14 vendet e tjera anëtare të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal u shtua 3.9 për qind.
Qeveria kineze njoftoi masa të reja javën e kaluar për të ndihmuar ndërmarrjet e tregtisë së jashtme të përballen me sfidat. Gjatë drejtimit të një mbledhjeje ekzekutive të Këshillit të Shtetit, kryeministri Li Keqiang e vuri theksin në sigurimin e porosive dhe stabilizimin e import-eksportit në industritë kyçe me intensitet të lartë pune. (Artan)







