Një vaksinë proteinike rekombinante e zhvilluar në Kinë kundër Covid-19 ka treguar të jetë e sigurt dhe efektive në provat njerëzore në fazën e fundit, bëhet e ditur në një studim të publikuar në “The New England Journal of Medicine”, citon “Xinhua”.

Vaksina me tre doza ZF2001 u zhvillua bashkërisht nga Instituti i Mikrobiologjisë nën Akademinë Kineze të Shkencave dhe “Anhui Zhifei Longcom Biopharmaceutical Co. Ltd”.
Studiuesit kryen provat e Fazës 3 midis 12 dhjetorit 2020 dhe 15 dhjetorit 2021 në 31 qendra klinike në Uzbekistan, Indonezi, Pakistan dhe Ekuador, dhe një në Kinë. Mbi 28.000 të rritur të moshës 18 vjeç e lart morën pjesë në teste, me 6.4 për qind të tyre të moshës mbi 60 vjeç. Vaksina kishte një efikasitet kundër Covid-19 të çdo ashpërsie prej 81.4 për qind 50 ditë pas vaksinimit të plotë dhe 75.7 për qind gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.

Efektiviteti kundër sëmundjes së rëndë deri në kritike ishte 92.9 për qind dhe 87.6 për qind, respektivisht në periudhën afatshkurtër dhe atë afatgjatë.
Sipas studimit, ulja e efikasitetit ishte e vogël, duke treguar se mbrojtja e vaksinës anti-Covid kundër sëmundjeve të rënda mbetet e fortë në gjashtë muaj.
Në mesin e pjesëmarrësve mbi 60 vjeç, efikasiteti i vaksinës ishte 87.6 për qind. Studimi gjithashtu theksoi vaksinimin efektiv kundër varianteve Alfa dhe Delta. Po ashtu thuhet se nuk kishte vdekje të lidhura me vaksinat dhe shumica e reagimeve negative ishin në një nivel të butë, duke demonstruar një profil të mirë sigurie.
Kina dha miratimin për tregimin e kushtëzuar për vaksinën e proteinave rekombinante në mars. (Irma)







