
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Le Yucheng duke folur në një dialog në internet për paqen dhe zhvillimin, Pekin, 6 maj 2022. /Ministria e Jashtme kineze
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Le Yucheng theksoi të premten se Kina nuk mban asnjë përgjegjësi për konfliktin Rusi-Ukrainë dhe nuk është palë në këtë konflikt.
Duke folur në një dialog në internet, ku morën pjesë përfaqësues të instituteve të studimit të politikave nga 20 vende të mbarë botës, Le kritikoi përpjekjet e disa vendeve për t'ia hedhur fajin Kinës për krizën e Ukrainës.
Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Rusisë janë ndërtuar mbi parimin e mosaleancës, moskonfrontimit dhe mosshënjestrimit të ndonjë pale të tretë, vuri në dukje ai.
Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar në fillim të shkurtit, të dy vendet thanë se miqësia mes tyre "nuk ka kufij" dhe se nuk ka fusha "të ndaluara" bashkëpunimi. Sipas Le, kjo tregon realitetin dhe vizionin e marrëdhënieve kino-ruse. Kina është e përkushtuar për forcimin e miqësisë me të gjitha vendet dhe kurrë nuk vendos kufizime për bashkëpunimin, vuri në dukje ai, duke shtuar që Pekini ndjek gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe gjykon në mënyrë të pavarur bazuar në natyrën e çdo çështjeje.

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Le Yucheng në një dialog në internet për paqen dhe zhvillimin, Pekin, 6 maj 2022. /Ministria e Jashtme kineze
“Paqja dhe zhvillimi, si tema të kohës, po përballen me sfida si kurrë më parë”, tha ai, duke paraqitur propozimet e Kinës për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në mbarë botën.
Numri dy i diplomacisë kineze bëri thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të normave të pranuara botërisht që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, në vend të falsifikimit të rregullave ndërkombëtare me rregullat vetjake.
Ai bëri thirrje për përkushtim ndaj parimit të sigurisë së pandashme, duke theksuar se siguria e një vendi nuk mund të arrihet në kurriz të sigurisë së të tjerëve.
Le gjithashtu bëri thirrje për përpjekje për të ruajtur solidaritetin dhe bashkëpunimin e komunitetit ndërkombëtar duke kundërshtuar politikën e blloqeve dhe përballjen ideologjike.
Ai paralajmëroi kundër sanksioneve të njëanshme, duke shtuar se konfliktet rajonale nuk duhet të kthehen në kriza globale.
Duhet të bëhen përpjekje për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Azi-Paqësor, tha zv.ministri, duke u bërë thirrje vendeve brenda dhe jashtë rajonit të përfshihen në Nismën e Sigurisë Globale të propozuar nga Kina.(Artan)







