Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi (majtas) u takua virtualisht me Luhut Binsar Pandjaitan-in, koordinator për bashkëpunimin me Kinën dhe ministër bashkërendues i Indonezisë, 6 maj 2022. / Ministria e Jashtme kineze

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi (majtas) u takua virtualisht me Luhut Binsar Pandjaitan-in, koordinator për bashkëpunimin me Kinën dhe ministër bashkërendues i Indonezisë, 6 maj 2022. / Ministria e Jashtme kineze

Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i jashtëm kinez Wang Yi theksoi të premten se Strategjia e Indo-Paqësorit e ShBA-së nuk u shërben interesave të vendeve të rajonit.

Gjatë një takimi virtual me Luhut Binsar Pandjaitan-in, koordinator për bashkëpunimin me Kinën dhe ministër bashkërendues i Indonezisë, diplomati kinez vuri në dukje se Azia Lindore e ka tashmë një strukturë bashkëpunimi rajonal me ASEAN-in në qendër dhe ky është çelësi për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Strategjia e Indo-Paqësorit e Shteteve të Bashkuara bie ndesh me prirjen e kohës dhe nuk është në interesat e përbashkëta dhe afatgjata të vendeve të rajonit, tha Wang.

Sipas tij, duke aktivizuar Pesë Sytë, një aleancë midis Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Britanisë së Madhe e SHBA-së, Uashingtoni në thelb po mbron mendësinë e vjetruar të Luftës së Ftohtë; me anë të QUAD-it me Japoninë, Indinë dhe Australinë po krijon një përballje të re grupesh në rajon, ndërsa duke promovuar AUKUS-in me Britaninë e Australinë, po provokon një garë armatimi në rajon.

Strategjia e Indo-Paqësorit e administratës së Biden-it, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë në shkurt, besohet gjerësisht se synon të ndërtojë një “mur kontrolli” rreth Kinës.

“Pavarësisht se çfarë strategjie rajonale propozohet, qëllimi i saj duhet të jetë përfitimi i ndërsjellë dhe jo e ashtuquajtura lojë ku fituesi i merr të gjitha”, tha ministri i jashtëm kinez.

Si dy ekonomi në zhvillim, Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Indonezinë për të mbrojtur së bashku paqen e qëndrueshmërinë rajonale të arritur me vështirësi dhe të drejtat e ligjshme të vendeve të rajonit për zhvillim dhe rigjallërim.

Luhut, nga ana e tij, tha se Indonezia dhe Kina mund të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Indonezia mirëpret nismat e zhvillimit global dhe të sigurisë globale të propozuara nga Kina dhe është e gatshme të marrë pjesë në të dyja.

Ai shtoi se natyra me përfitime të ndërsjella e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm për bashkëpunimin ndërmjet vendeve në zhvillim.

Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord gjithashtu për të punuar së bashku lidhur me pandeminë e COVID-19, vaksinat dhe shëndetin publik, nxitjen e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, shkëmbimet njerëzore dhe bashkëpunimin detar, si dhe nxitjen e ndërtimit të “Një brez, një rrugë”.(Artan)