Presidenti kinez Xi Jinping theksoi të enjten se parandalimi dhe kontrolli epidemik është në një fazë kritike dhe bëri thirrje për këmbëngulje në politikën “zero-COVID dinamike”.

Xi, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë kryesimit të një mbledhjeje të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, ku u analizua situata epidemike e COVID-19.

Qysh nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, Kina ka pasur arritje të mëdha në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë nëpërmjet këmbënguljes në strategjitë si vënia e njerëzve në plan të parë, politika “zero-COVID dinamike” dhe mbrojtja kundër hyrjes nga jashtë dhe shpërthimit të brendshëm të rasteve, sipas një deklarate të publikuar pas kësaj mbledhjeje.

Në deklaratë vihet në dukje se, qysh nga marsi i këtij viti, Kina ka përballuar provën më të rëndë të kontrollit të COVID-19 që prej betejës së Wuhan-it, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit.

Faktet provojnë se masat e parandalimit dhe kontrollit të Kinës janë shkencore dhe efektive, theksohet në deklaratë, duke shtuar se Kina do ta fitojë luftën kundër COVID në Shangai me politikën e kontrollit epidemik të provuar nga koha.

Afro 9 000 pika testimi të acidit nukleik ishin krijuar në Shangai deri në mbrëmjen e së mërkurës. Mbi 4 500 të tyre janë hapur për shërbim dhe të tjerat do të hapen sipas situatës dhe kërkesave për rifillimin e punës, bëri të ditur Komisioni i Zhvillimit dhe Reformës i Bashkisë së Shangait.

Në mbledhje u vërejt se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për vijimin e politikës “zero-COVID dinamike”.

Duke vënë në dukje se pandemia globale vijon të jetë në një nivel të lartë, virusi është në ndryshim dhe ekziston pasiguri e madhe mbi zhvillimin e tij, gjatë mbledhjes u kërkua vazhdimi i përpjekjeve për kontrollin e virusit.

Po ashtu, u theksua se Kina është një vend me një popullsi të madhe dhe me një numër të madh të moshuarish, me zhvillim rajonal të pabarabartë dhe me burime mjekësore të përgjithshme të pamjaftueshme.

Lehtësimi i nxituar dhe i parakohshëm i masave të kontrollit do të çojë në prekje, sëmundje serioze dhe vdekje në shkallë të gjerë, dhe siguria e shëndeti e popullit, si edhe zhvillimi ekonomik e shoqëror do të ndikohen seriozisht, u theksua në mbledhje.

Përpjekje më të mëdha duhet të bëhen për vijimin e politikës “zero-COVID dinamike”, për të konsoliduar në mënyrë të vendosur arritjet e siguruara me vështirësi në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, sipas mbledhjes.

Po ashtu, u nxitën zyrtarët të forcojnë ndërtimin e kapaciteteve për të përballuar vatrat e infeksionit në disa zona dhe për të bërë përgatitje në fuqi punëtore dhe në materiale për punën e parandalimit e të kontrollit. (Xu Guang)